BOTA, 6 Janar 2026, 20:21

Përfundon mbledhja e “Koalicionit të të Gatshmëve”/ Ukraina dhe aleatët garanci të forta sigurie! Macron: Forcë shumëkombëshe në Kiev nëse arrihet paqja me Rusinë

Përfundon mbledhja e “Koalicionit të të

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, njoftoi mbrëmjen e së martës, se Ukraina dhe aleatët e saj kanë arritur marrëveshje për “garanci të forta sigurie”, pas një mbledhjeje të rëndësishme të ashtuquajturës “Aleancë e Gatshme” në Paris. Ky angazhim është përmbledhur në Deklaratën e Parisit, të cilën Macron e cilësoi si një hap të rëndësishëm drejt paqes së qëndrueshme.

“Sot arritëm përparim të rëndësishëm, i cili reflektohet në Deklaratë, që siguron garanci të forta për paqe të qëndrueshme. Ky është një moment historik, pasi Deklarata e koalicionit njoh për herë të parë koordinimin funksional midis 35 vendeve të koalicionit, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara,” tha Macron, duke shtuar se dokumenti përcakton elementët kryesorë të këtyre garancive.

Si pjesë e Deklaratës, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Ukraina nënshkruan një deklaratë qëllimesh për vendosjen e forcave në Ukrainë në rast arritjeje të një marrëveshjeje paqësore. Kjo “Forcë Shumëkombëshe për Ukrainën” do të veprojë si një trupë garantuese, për të forcuar sigurinë dhe për të mbështetur kthimin e vendit në paqe dhe stabilitet, duke ndihmuar edhe në rindërtimin e Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Deklarata krijon bazën ligjore për të lejuar operacionet e forcave britanike dhe franceze në territorin ukrainas, duke përfshirë mbrojtjen e hapësirës ajrore dhe detare, si dhe forcimin e ushtrisë ukrainase për të ardhmen. Pas një armëpushimi të mundshëm, parashikohet gjithashtu krijimi i “qendrave ushtarake” në disa rajone të Ukrainës, për vendosjen e forcave dhe ruajtjen e sigurt të armëve dhe pajisjeve.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e përshkroi Deklaratën e Parisit si “shumë konkrete”, duke treguar se Ukraina tashmë di se cilat vende do të marrin pjesë dhe çfarë do të kontribuojë secila. Ai gjithashtu bëri të ditur se ka pasur përparim në bisedimet me SHBA-në për monitorimin e paqes.

Nga ana e tij, kryeministri britanik, Keir Starmer, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis aleatëve evropianë dhe amerikanë, duke deklaruar se “jemi më pranë paqes se kurrë”, por paralajmëroi se “masat më të vështira janë ende përpara nesh”, duke përmendur krijimin e qendrave ushtarake.

Starmer shtoi se, sipas vlerësimeve evropiane, presidenti rus Vladimir Putin nuk është i gatshëm për paqe, duke përmendur sulmet e reja në Ukrainë dhe ndërprerjen e energjisë për miliona persona në dimër.

Macron priti në Paris mbi 25 liderë ndërkombëtarë, përfshirë presidentin ukrainas Zelensky dhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, për mbledhjen e Aleancës së Gatshme, që synon mbështetjen e Ukrainës dhe sigurinë rajonale.