BOTA, 4 Mars 2026, 22:59

Pentagoni nxjerr PAMJET/ Ja si nëndetësja amerikane fundosi anijen iraniane

Pentagoni nxjerr PAMJET/ Ja si nëndetësja amerikane fundosi anijen

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth, konfirmoi se një nëndetëse amerikane fundosi një anije luftarake iraniane në brigjet e Sri Lankës, duke shënuar sulmin e parë amerikan ndaj forcave iraniane jashtë Lindjes së Mesme. Në një konferencë për shtyp në Pentagon, Hegseth deklaroi se “Amerika po fiton” dhe sugjeroi që brenda më pak se një jave SHBA-të dhe Izraeli do të kenë kontroll të plotë të qiellit iranian.

Hegseth tha se Shtetet e Bashkuara kanë burime të mjaftueshme për ta vazhduar fushatën, e cila nisi më 28 shkurt paralelisht me sulmet e Izraelit, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke thënë se Uashingtoni do të marrë “gjithë kohën që i duhet” për të siguruar fitoren. Hegseth tha gjithashtu se udhëheqësi i njësisë së fshehtë iraniane që planifikoi të vriste Trumpin në vitin 2024 ishte vrarë në sulme.

Dan Caine, kryetari i shefave të përbashkët të shtabit, i cili foli gjithashtu në konferencën, tha se më shumë se 20 anije detare iraniane janë shkatërruar dhe se SHBA-të kanë “neutralizuar në mënyrë efektive praninë e madhe detare të Iranit”. Hegseth tha se SHBA-të po hetojnë sulmin vdekjeprurës ndaj një shkolle vajzash në Iran që vrau rreth 168 persona të shtunën, por nuk dha detaje të mëtejshme.

"E tëra çfarë mund të them është se po hetojmë dhe se, sigurisht, ne kurrë nuk synojmë objektiva civile", tha Hegseth.