TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në një vendim të rëndësishëm për barazi dhe mbështetje për amësinë në politikë, Parlamenti Europian eci përpara, pasi miratoi një rishikim të legjislacionit zgjedhor të BE-së në mënyrë që eurodeputetet femra të mund të heqin dorë përkohësisht nga e drejta e tyre për të votuar, gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes.
Reforma u miratua në seancë plenare me 616 vota pro, 24 kundër dhe 8 abstenime dhe parashikon një përjashtim nga rregulli aktual i pranisë së detyrueshme fizike për votim.
Në mënyrë specifike, eurodeputetët do të jenë në gjendje t’ia delegojnë votën e tyre një kolegu të besuar deri në tre muaj para datës së mundshme të lindjes dhe për gjashtë muaj pas lindjes së fëmijës së tyre (9 muaj në total).
Sipas Parlamentit Europian, qëllimi i masës është të forcojë barazinë gjinore, të balancojë më mirë jetën personale dhe profesionale dhe të sigurojë që gratë të mos jenë të detyruara të zgjedhin midis amësisë dhe përfaqësimit të tyre politik.
Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, e cila kishte marrë iniciativën për reformën, tha: “Jam krenare për punën e Parlamentit. Ky është një hap i rëndësishëm drejt një Parlamenti më modern dhe të drejtë. Asnjë grua nuk duhet ta humbasë të drejtën e votës vetëm sepse bëhet nënë”.
Nga ana e tij, raportuesi i reformës, Juan Fernando López Aguilar, theksoi se ky vendim përbën një “hap historik”, duke vënë në dukje se amësia nuk duhet ta detyrojë kurrë një përfaqësuese të zgjedhur “të zgjedhë midis fëmijës së saj dhe votës së saj”.
Rishikimi ishte iniciuar nga Parlamenti Evropian që në nëntor 2025, ndërsa Këshilli i BE-së ra dakord në mars 2026, duke shtuar dispozita për transparencë, llogaridhënie dhe siguri më të madhe në procesin e votimit.