TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Parlamenti i Hungarisë ka zgjedhur një president të ri pasi presidentja e mëparshme, Katalin Novak dha dorëheqjen pas një skandali për faljen që ajo i dha një bashkëpunëtori në një rast abuzimi seksual të fëmijëve.
Ligjvënësit në një votim të fshehtë miratuan emërimin në presidencë të Tamás Sulyok, 67 vjeç, një avokat i cili ka shërbyer më parë si kreu i Gjykatës Kushtetuese të Hungarisë.
Sulyok pritet të marrë zyrtarisht rolin më 5 mars.
Disa parti opozitare nuk morën pjesë në votim dhe bënë thirrje për zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale në vend të emërimeve me votim në parlament, raporton AP. Ata argumentuan se presidenti i ri do të ishte një “ushtar partie” i kryeministrit hungarez Viktor Orbán.
Roli i presidentit në Hungari është kryesisht ceremonial, ndonëse ata kanë fuqinë t’i dërgojnë projektligjet mbrapsht ligjvënësve ose Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim.
Në fjalimin e tij, Sulyok iu referua procedurave që po zhvillohen aktualisht kundër Hungarisë, në të cilat Bashkimi Evropian ka ngrirë miliarda financime për shqetësimet e sundimit të ligjit dhe demokracisë.
Ai foli gjithashtu për besimin e tij se vendet anëtare të Bashkimit Evropian ruajnë sovranitetin e tyre ligjor kombëtar pavarësisht anëtarësimit të tyre në bllok.
Dorëheqja e Katalin Novak
Zgjedhja e një kreu të ri të shtetit erdhi pasi presidentja konservatore e Hungarisë dha dorëheqjen më 10 shkurt, mes protestave publike për faljen që ajo i dha një burri të dënuar për ndihmën për të mbuluar abuzimin seksual të fëmijëve në një jetimore shtetërore.
“Bazuar në kërkesën për mëshirë dhe informacionin e disponueshëm, vendosa në prill të vitit të kaluar në favor të mëshirës me besimin se i dënuari nuk ka abuzuar me cenueshmërinë e fëmijëve që i janë besuar”, tha Novák. “Kam bërë një gabim, sepse vendimi për falje dhe mungesa e justifikimit ishin të përshtatshme për të ngritur dyshime për zero tolerancë ndaj pedofilisë. Por këtu, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë dyshim”, deklaroi ajo në fjalimin e saj të fundit si presidente.
Largimi i Novák erdhi si një pjesë e rrallë e trazirave politike për partinë qeverisëse nacionaliste të Hungarisë Fidesz, e cila ka qeverisur me një shumicë kushtetuese që nga viti 2010.
Novák, një aleat kryesor i Orbanit dhe një ish-zëvendës president i Fidesz, shërbeu si ministre e Hungarisë për familjet deri në emërimin e saj në presidencë.
Ajo ishte presidentja e parë femër në historinë e Hungarisë dhe personi më i ri që ka mbajtur ndonjëherë këtë post.