BOTA, 7 Nëntor 2025, 19:00

Papa Leon dhe nënpresidenti amerikan vizitojnë Turqinë në fund të nëntorit, JD Vance pritet të takohet me Erdogan

Papa Leon dhe nënpresidenti amerikan vizitojnë Turqinë në

Në fund të nëntorit, nënpresidenti amerikan JD Vance pritet të udhëtojë në Turqi për të shoqëruar Papa Leon gjatë vizitës së tij në Iznik, në përkujtim të 1,700-vjetorit të Këshillit të Parë të Nikeas, një ngjarje vendimtare që formësoi doktrinën e hershme të krishterimit.

Udhëtimi do ta çojë Vance-in, i cili është katolik, në rrënojat nënujore të një bazilike të lashtë në Liqenin e Iznikut, më 28 nëntor, një vend që besohet të jetë lokacioni i Këshillit të Parë të Nikeas, i mbajtur në vitin 325 pas Krishtit.

Në atë asamble, peshkopë nga e gjithë bota e krishterë u mblodhën për të zgjidhur çështje themelore teologjike që përcaktuan mësimet e para të fesë.

Papa Leon, në vizitën e tij të parë zyrtare jashtë Vatikanit, pritet të vizitojë vendin arkeologjik nën ujë së bashku me Patriarkun Ekumenik Bartolomeu, për të përkujtuar këtë përvjetor të rëndësishëm.

Middle East Eye shkruan se megjithëse pjesëmarrja e Vance-it ende nuk është finalizuar, burime diplomatike bëjnë të ditur se zyrtarët turq presin që nënpresidenti të marrë pjesë në ceremoni.

Një nga burimet theksoi se: “Vance do të ndodhet tashmë në Lindjen e Mesme për të festuar Ditën e Falënderimeve me trupat amerikane më 27 nëntor, dhe më pas dëshiron të udhëtojë në Turqi për t’u bashkuar me vizitën e Papës.”

Ambasada e SHBA-së në Ankara nuk ka dhënë ende një koment zyrtar lidhur me udhëtimin.

Nëse vizita konfirmohet, zyrtarët turq presin që Vance të zhvillojë edhe një takim me presidentin Recep Tayyip Erdogan, me të cilin u takua për herë të fundit në Shtëpinë e Bardhë në shtator.

Bazilika e Iznikut, që ka përmasa rreth 20 me 40 metra, konsiderohet kisha më e madhe e njohur e qytetit. Studiuesit besojnë gjithnjë e më shumë se struktura është Kisha e Etërve të Shenjtë, e përmendur shpesh në burimet e hershme të krishtera, por e konfirmuar vetëm pas zbulimeve të fundit arkeologjike.

Sipas profesor Mustafa Sahin nga Universiteti Bursa Uludag, i cili udhëheq gërmimet në vend, bazilika u ndërtua fillimisht si një kapelë e shenjtit Neofyt, por u shkatërrua nga një tërmet në vitin 358 pas Krishtit dhe u rindërtua pas vitit 380, sipas agjencisë shtetërore Anadolu.

Gërmimet kanë zbuluar 37 varre, shumë prej të cilave janë restauruar dhe rivarrosur në vendin e tyre origjinal, për të ruajtur autenticitetin e sitit.

Ekspertët besojnë se vizita e Papës Leom mund ta kthejë Iznikun në një destinacion të rëndësishëm pelegrinazhi dhe turizmi fetar. Një delegacion prej 38 anëtarësh nga Vatikani ka mbërritur tashmë në Iznik këtë javë për të finalizuar përgatitjet për vizitën historike.