BOTA, 28 Janar 2026, 15:34

Pamje apokaliptike nga gadishulli Iberik! Stuhia “Kristin” godet Portugalinë dhe Spanjën, 2 të vdekur dhe mbi 1 milion familje pa energji elektrike, mbyllen shkollat

Pamje apokaliptike nga gadishulli Iberik! Stuhia “Kristin” godet

Pamje apokaliptike nga gadishulli Iberik, teksa stuhia “Kristin” ka goditur Portugalinë dhe Spanjën prej orësh.

Deri tani raportohen të paktën 2 të vdekur, mbi 1 milionë shtëpi pa energji elektrike në të dy vendet, dëme të shumta materiale dhe shkatërrim, me shira të rrëmbyeshëm, erë të fortë dhe dëborë.

Shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e forta që goditën Portugalinë gjatë natës kanë vrarë të paktën dy persona dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha në zonën e Lisbonës dhe në qendër të vendit, thanë shërbimet e shpëtimit, informuan mediat.

Stuhia solli shira të rrëmbyeshëm dhe erëra deri në 150 kilometra në orë, duke shkaktuar rrëzimin e pemëve, përmbytje dhe rrëshqitje toke, dhe duke i detyruar shërbimet e shpëtimit të reagojnë ndaj rreth 1,500 incidenteve midis mesnatës dhe orës 8 të mëngjesit të sotëm.

Një person u vra në Vila Franca de Cira, në periferi të Lisbonës, kur një pemë e shkulur nga rrënjët ra mbi makinën që ai po drejtonte, sipas Autoritetit Kombëtar të Mbrojtjes Civile. Një person tjetër u vra nga rënia e një “strukture metalike” në Monte Real, në rajonin Leiria (në qendër), sqaroi mbrojtja civile.

Qeveria portugeze reagoi me një deklaratë duke e karakterizuar stuhinë si “një ngjarje ekstreme klimatike, e cila shkaktoi dëme të konsiderueshme në shumë pjesë të territorit”.

Deri në 850,000 familje ose institucione mbetën pa energji elektrike në orët e para të mëngjesit.

Disa rrugë mbeten të bllokuara ose pjesërisht të mbyllura, përfshirë autostradën kryesore që lidh Lisbonën me veriun e vendit, dhe shërbimet hekurudhore janë prekur gjithashtu në disa zona.

Stuhia Kristin vazhdoi rrugën e saj drejt lindjes dhe arriti në Spanjë këtë mëngjes, e cila ende po përpiqet të përballojë efektet e një sistemi të mëparshëm, Stuhisë Joseph. Në qytetin bregdetar të Torremolinos, erërat e forta shkaktuan rrëzimin e një peme të martën, duke vrarë një grua.

Më shumë se 160 rrugë në të gjithë Spanjën u prekën nga dëbora, duke përfshirë 27 autostrada në rrjetin kryesor të autostradave, siç është A-6 që lidh Madridin me pjesën veriperëndimore të vendit. Bora mbuloi gjithashtu çatitë e shtëpive në pjesë të Madridit qendror, por nuk shkaktoi probleme të mëdha. Mijëra banesa mbetën pa energji elektrike dhe dëmet janë të mëdha.

Agjencia kombëtare meteorologjike e Spanjës AEMET paralajmëroi se zona të mëdha të vendit mund të përballen me erëra shumë të forta, me disa shpërthime që arrijnë forcën e uraganit . Autoritetet në disa pjesë të rajonit jugor të Almerias lëshuan alarm të kuq për shkak të ashpërsisë së erërave.