BOTA, 8 Shkurt 2026, 22:14

Pak ditë para takimit Trump-Netanyahu, Izraeli zbut masat për blerjen e tokës nga kolonët në Bregun Perëndimor

Pak ditë para takimit Trump-Netanyahu, Izraeli zbut masat për blerjen

Këshilli i sigurisë i qeverisë izraelite ka miratuar një sërë masash që do ta bëjnë më të lehtë për kolonët izraelitë blerjen e tokës në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa njëkohësisht u japin autoriteteve izraelite kompetenca më të gjera për zbatimin e ligjit ndaj palestinezëve, sipas mediave izraelite.

Duke cituar deklaratat e ministrit të Financave Bezalel Smotrich dhe ministrit të Mbrojtjes Israel Katz, portalet izraelite Ynet dhe Haaretz raportuan se masat përfshijnë shfuqizimin e rregullave shumëvjeçare që ndalonin hebrenjtë privatë të blinin tokë në Bregun Perëndimor.

Sipas të njëjtave burime, masat e reja u japin gjithashtu autoriteteve izraelite të drejtën të administrojnë disa vende fetare dhe zgjerojnë mbikëqyrjen dhe zbatimin e ligjit izraelit në zona që ndodhen nën administrimin e Autoritetit Palestinez, në çështje që lidhen me rreziqet mjedisore, shkeljet që kanë të bëjnë me ujërat dhe dëmtimet e zonave arkeologjike.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas deklaroi se masat e reja janë të rrezikshme, të paligjshme dhe përbëjnë një aneksim de facto.

Masat miratohen vetëm tre ditë përpara takimit të planifikuar në Uashington mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan Donald Trump.

Në deklaratën e tij, Abbas i bëri thirrje Trump-it dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të ndërhyjnë.

Bregu Perëndimor është një nga territoret ku palestinezët synojnë të krijojnë një shtet të pavarur në të ardhmen.

Pjesa më e madhe e tij ndodhet nën kontrollin ushtarak izraelit, ndërsa vetëqeverisja palestineze është e kufizuar në disa zona që administrohen nga Autoriteti Palestinez, i mbështetur nga Perëndimi.