BOTA, 11 Shkurt 2026, 15:45

Orban kundër planit të BE për anëtarësimin e shpejtë të Ukrainës: Ky veprim do të përbënte një deklaratë lufte!

Orban kundër planit të BE për anëtarësimin e

Kryeministri hungarez, Viktor Orban ka kritikuar ashpër planin e BE-së për pranimin e shpejtë të Ukrainës, duke e quajtur atë një “deklaratë lufte” kundër Hungarisë.

Pak ditë më parë, u raportua se Komisioni Evropian po punon mbi një plan për të përshpejtuar procesin e pranimit të Kievit, i cili mund t’i ofrojë vendit anëtarësim të pjesshëm në BE përpara se të përfundojë reformat e kërkuara.

Politico raportoi se KE po shqyrton mënyra për të anashkaluar veton e mundshme të Hungarisë, siç është t’i kërkohet Presidentit të SHBA-së Donald Trump të ushtrojë presion mbi Orbanin ose edhe të shqyrtojë aktivizimin e Nenit 7 të Traktatit të BE-së, gjë që mund të çojë në pezullimin e të drejtave të votës së Budapestit.

Por, një veprim i tillë do të përbënte “një deklaratë të hapur lufte kundër Hungarisë”, paralajmëroi kryeministri hungarez sot, të mërkurën, në një postim në platformën X.

“Ata kanë vendosur që Ukraina do të pranohet në Bashkim që në vitin 2027. Ata e injorojnë vendimin e popullit hungarez dhe janë të vendosur ta rrëzojnë qeverinë hungareze me çdo mjet”, u shpreh kryeministri hungarez.