BOTA, 7 Mars 2026, 10:31

Sulmohet me dron aeroporti i Dubait, anulohen të gjitha fluturimet (VIDEO)

Sulmohet me dron aeroporti i Dubait, anulohen të gjitha fluturimet (VIDEO)

Shpërthime të forta janë raportuar në Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në kryeqytetin e Bahreinit, Manama, ndërkohë që konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e tetë të luftës. Mediat e huaja bëjnë me dije se Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait ka pezulluar përkohësisht të gjitha operacionet.

Sipas raportimeve, dy shpërthime kanë ndodhur në Dubai dhe një në Manama, ku u aktivizuan sirenat e alarmit. Qeveria e Dubait gjithashtu konfirmoi në një postim në X se kishte pasur një incident që rezultoi në rënien e fragmenteve pas një përgjimi, duke sqaruar se nuk kishte të lënduar.

“Qytetarëve dhe banorëve i kërkohet të qëndrojnë të qetë dhe të lëvizin në vendin më të afërt të sigurt”, tha Ministria e Brendshme e Bahreinit.