BOTA, 23 Maj 2026, 13:06

OBSH ngre alarm të lartë për shpërthimin e Ebolës në Kongo, rritet numri i viktimave dhe rasteve të dyshuara

OBSH ngre alarm të lartë për shpërthimin e Ebolës

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar një rritje “shumë të lartë” të nivelit të rrezikut nga shpërthimi aktual i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, raportoi BBC.

Sipas OBSH-së, deri tani janë regjistruar 82 raste të konfirmuara dhe shtatë viktima, ndërsa në total raportohen rreth 750 raste të dyshuara dhe 177 vdekje të dyshimta.

Bëhet fjalë për variantin e rrallë “Bundibugyo”, për të cilin nuk ekziston ende një vaksinë e testuar. Ky lloj Ebola vret rreth një të tretën e të infektuarve.

Ndërkohë, shkencëtarët në Universitetin e Oksfordit po zhvillojnë një vaksinë të re, e cila mund të hyjë në prova klinike brenda dy ose tre muajsh.

OBSH-ja paralajmëroi se dhuna dhe pasiguria në lindje të Kongos po vështirësojnë reagimin ndaj epidemisë.

Situata u tensionua edhe më tej pasi familjarë të zemëruar dogjën pjesërisht një spital, pasi autoritetet refuzuan të dorëzonin trupin e një viktime nga Ebola për shkak të rrezikut të infektimit.