TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, këtë të martë (21 prill), qindra besimtarë dhe pelegrinë u mblodhën për t’u lutur dhe për të kujtuar figurën e tij pranë varrit në Bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë.
Varri i thjeshtë prej mermeri, me mbishkrimin “Franciscus”, emri i tij në latinisht, është kthyer në një pikë pelegrinazhi, ku çdo ditë formohen radhë të gjata besimtarësh dhe turistësh që duan të nderojnë ish-pontifikun.
Papa Françesku, emri i lindjes i të cilit ishte Jorge Bergoglio, u nda nga jeta më 21 prill 2025, në moshën 88-vjeçare, pasi udhëhoqi Kishën Katolike për 12 vite, që nga marsi i vitit 2013. Ai është një nga papët e rrallë të një shekulli të fundit që u varros jashtë Bazilikës së Shën Pjetrit.
Sot, fluksi i vizitorëve ishte edhe më i madh se zakonisht. Pelegrinët gjunjëzoheshin para varrit, ndërsa buqetat me lule shtoheshin përkrah trëndafilit të bardhë që vendoset çdo ditë nga stafi i kishës.
Ndërkohë, pasardhësi i tij, Papa Leo XIV, i zgjedhur në maj 2025, i bëri homazh paraardhësit të tij gjatë një vizite në Guinenë Ekuatoriale.
“Në këtë përvjetor të parë, dua të nderoj Papa Françeskun, i cili i dha kaq shumë Kishës me jetën, dëshminë, fjalët dhe veprat e tij”, u shpreh ai, duke theksuar përkushtimin e tij ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe më të dobëtve në shoqëri.
Edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni reagoi, duke theksuar se Papa Françesku ndikoi jo vetëm tek besimtarët, por edhe tek ata që nuk besojnë.
“Ai kujtonte vazhdimisht rëndësinë e paqes dhe përgjegjësinë që kemi ndaj njëri-tjetrit”, shkroi ajo.
Përvjetori i vdekjes së tij vjen në një moment tensionesh, pas deklaratave të fundit të presidentit amerikan Donald Trump ndaj Papa Leo XIV, lidhur me thirrjet e këtij të fundit për paqe në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, Papa Leo u përpoq të ulë tonet, duke sqaruar se deklaratat e tij të mëparshme nuk kishin për qëllim përplasje me Uashingtonin.