BOTA, 8 Nëntor 2025, 13:21

Nis gara për presidentin e ardhshëm të SHBA-së, kush shihet si favorit nga republikanët

Nis gara për presidentin e ardhshëm të SHBA-së, kush shihet

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u ka thënë privatisht bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë se senatori JD Vance konsiderohet aktualisht kandidati kryesor për të marrë nominimin republikan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, dhe se ai do ta mbështeste publikisht nëse Vance vendos të kandidojë.

Këto deklarime, të raportuara për POLITICO nga dy burime pranë administratës amerikane, pasqyrojnë mënyrën se si disa figura të Partisë Republikane po pozicionohen për epokën pas Donald Trumpit, ndërkohë që presidenti është ende brenda vitit të parë të mandatit të tij.

“Sipas Rubio-s, JD Vance do të jetë kandidati republikan nëse ai vendos të hyjë në garë”, ka pohuar një burim i afërt me kryediplomatin amerikan. Ndërkohë, presidenti Donald Trump i ka vlerësuar vazhdimisht Vance dhe Rubion si dy pasardhësit e tij më të mundshëm, madje javën e kaluar sugjeroi se të dy mund të kandidojnë së bashku në një biletë të përbashkët. Si Vance ashtu edhe Rubio deklarojnë se mes tyre nuk ka rivalitet dhe se mbeten miq të mirë, ndonëse spekulimet për drejtimin e ardhshëm të lëvizjes MAGA po shtohen.

Një tjetër burim pranë Shtëpisë së Bardhë thotë se pritshmëria aktuale në rrethin e ngushtë të administratës është që “JD Vance të kandidojë për president dhe Rubio të jetë zëvendëspresidenti i tij”.

Sipas një sondazhi të Politico-s, zhvilluar nga 18 deri më 21 tetor, JD Vance kryeson me 35% të mbështetjes tek votuesit që votuan Trumpin në vitin 2024. Në të njëjtën anketë, Rubio merr vetëm 2% të preferencave, ndërsa 28% e të anketuarve shprehen se do të donin të shihnin vetë Trumpin duke kandiduar në 2028, pavarësisht kufizimit të mandateve presidenciale.