BOTA, 22 Dhjetor 2025, 17:39

Nga tragjedia te festa/ Fshati La Bañeza në Spanjë shpërblehet nga lotaria ‘El Gordo’ me 468 milionë euro!

Nga tragjedia te festa/ Fshati La Bañeza në Spanjë

Vera e kaluar ishte shkatërrimtare për fshatin La Bañeza, në provincën spanjolle të Castilla y León. Flakët e një zjarri të madh pyjor shkaktuan dëme të rënda në zonë, ndërsa reshjet e shiut erdhën shumë vonë për ta shpëtuar fshatin.

Mbi 130 mijë hektarë tokë rreth La Bañezës u dogjën, tre persona humbën jetën dhe rreth 8 mijë banorë u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre. Sot, megjithatë, banorët kanë arsye të forta për të buzëqeshur, pasi llotaria e Krishtlindjeve “El Gordo” u ka sjellë rreth 468 milionë euro 10 mijë banorëve të zonës, ose rreth 46.800 euro për secilin. Fitues janë edhe banorët e fshatit fqinj Villablino, ku në marsin e kaluar pesë burra humbën jetën në një aksident në minierë. Edhe ata kishin blerë bileta fituese dhe pritet të përfitojnë miliona euro, raporton “The Guardian”.

Kryetari i bashkisë së La Bañezës, Javier Carrera, deklaroi se fitorja e së hënës solli një “stuhi emocionesh pas një viti kaq të tmerrshëm”. “Është diçka që ra nga qielli për një vend që kishte kaq shumë nevojë”, u shpreh Carrera. Llotaria “El Gordo” është një institucion kombëtar i Krishtlindjeve në Spanjë. Ajo përbëhet nga 100 mijë numra, secili prej të cilëve përsëritet në 198 seri, ndërsa çdo seri ndahet në dhjetëshe. Kështu, çdo numër përsëritet gjithsej 1.980 herë.

Çdo dhjetëshe kushton 20 euro dhe numri fitues sjell 400 mijë euro për çdo dhjetëshe. Në La Bañeza janë shitur gjithsej 117 seri, që përkthehen në 468 milionë euro për t’u ndarë mes banorëve. Përveç çmimeve të mëdha, ekzistojnë edhe mijëra shpërblime më të vogla. Rreth “El Gordo” qarkullojnë edhe disa bestytni. Njëra prej tyre lidhet me traditën për të blerë bileta në vende që kanë përjetuar tragjedi, bazuar në besimin se rrufeja nuk bie dy herë në të njëjtin vend dhe se pas fatit të keq vjen fati i mirë, pikërisht ajo që ndodhi në La Bañeza.