BOTA, 28 Dhjetor 2025, 10:48

Nga territoret te centrali i Zaporizhzhias, pengesat që frenojnë paqen në Ukrainë

Nga territoret te centrali i Zaporizhzhias, pengesat që frenojnë paqen

“Paqja, nëse e thua dhe e përsërit, ndoshta pastaj bëhet realitet”. Kjo ishte një nga frazat që Mario Rigoni Stern e përsëriste shpesh. Që nga ai kthim në shtëpi mes akullit dhe baltës nga Rusia, i rrëfyer në librin “Il sergente nella neve” (Rreshteri në borë).

Pas 82 vitesh, duke parë fytyrat e Denis dhe Dimitry, dy ushtarë ukrainas që kanë qëndruar në postin e tyre në Kostjantynivka për 140 ditë rresht, të filmuar nga mediat ukrainase teksa telefonojnë familjet e tyre, duket se, pavarësisht progresit dhe shkencës, paqja mbetet një utopi. Për pesimistët, viti që po mbyllet është më i keqi për Ukrainën që nga nisja e pushtimit rus në vitin 2022, dhe 2026-ta mund të jetë edhe më e vështirë. Por në qarqet diplomatike evropiane, megjithëse shqetësimet mbeten të mëdha, flitet për hapa të rëndësishëm përpara në diplomaci.

Nga akulli i frontit te ngrohtësia e Floridës. Në pritje të takimit të ri ballë për ballë mes Zelensky dhe Trump që mbahet nesër në Mar-a-Lago, ka ende shumë çështje të pazgjidhura. Në prag të Krishtlindjes, presidenti ukrainas prezantoi një draft të ri plani. Nga 20 pika në total, më kritiket janë pika 12 dhe 14. Një nga çështjet më të ndërlikuara lidhet me centralin bërthamor të Zaporizhias, impianti më i madh në Europë. I vendosur në qytetin e pushtuar Enerhodar, centrali prodhonte rreth 20% të energjisë elektrike të Ukrainës para se Rusia ta pushtonte. Shtëpia e Bardhë do të donte një central të kontrolluar nga Ukraina, SHBA-të dhe Rusia, me përfitime ekonomike të përbashkëta. Por Kievi druhet se një menaxhim trepalësh do të legjitimonte pushtimin rus. Ndërkohë Moska kërkon që pala ukrainase të përjashtohet. Për më tepër, për ta vënë në funksion, centrali duhet siguruar me punime mirëmbajtjeje që kërkojnë kohë dhe kosto, dhe nuk është e qartë kush duhet t’i mbajë.

Pika 14 e planit ukrainas trajton atë që Zelensky e ka përshkruar si çështjen më të vështirë: të ardhmen e territoreve në rajonet Donetsk, Lugansk, Zaporizhia dhe Kherson. Pozicioni bazë i Kievit, që Zelensky e quan “opsioni A”, është ngrirja e frontit. Moska, përkundrazi, kërkon që Ukraina të tërheqë trupat nga zonat e Donetskut që forcat ruse nuk kanë arritur t’i pushtojnë. Negociatorët amerikanë po shqyrtojnë krijimin e zonave të çmilitarizuara ose zonave ekonomike të lira, formate që sipas tyre mund të kënaqin të dyja palët. Por Kievi paralajmëron se çdo vendim mbi kufijtë do të kërkonte miratim parlamentar ose madje referendum. Një grup pune duhet të përcaktojë ripozicionimet e trupave dhe parametrat për zonat ekonomike speciale, por Kievi e kushtëzon përparimin me tërheqjen e Rusisë nga zonat e pushtuara. Zelensky ka përmendur Enerhodar si një eksperiment të mundshëm për zonë të lirë, të çmilitarizuar dhe nën administrim ukrainas pas tërheqjes ruse. Plani parashikon gjithashtu që, përpara se marrëveshja të hyjë në fuqi, duhet të kryhen ridislokime në rajonet Dnipropetrovsk, Mykolaiv, Sumy dhe Kharkiv. Zelensky ka theksuar se referendumi mbetet opsioni i fundit. Sipas gazetës ruse Kommersant, Putin ka shprehur gatishmërinë për të lëshuar disa zona të vogla të pushtuara në rajonet e Kharkivit dhe Zaporizhias. Kievi, nga ana tjetër, do të ishte i gatshëm të tërhiqte “forcat e rënda” nga zonat e Donbasit që ende kontrollon, për të krijuar një “zonë ekonomike të lirë” në rajon, nëse Moska do të bënte të njëjtën gjë. Por të mërkurën në mbrëmje, gjatë një takimi me elitën e biznesit, Putin përsëriti kërkesën që Ukraina të dorëzojë të gjithë Donetskun. Fjalë që e kthejnë gjithçka në pikën e nisjes.

Garancitë e sigurisë

Fati i territoreve është i lidhur ngushtë për Kievin me garancitë e sigurisë. Sipas planit të Zelensky-t, SHBA-të, NATO dhe vendet anëtare të BE-së, në rast të një sulmi të ri rus, do t’i ofrojnë Ukrainës ndihmë ushtarake të barasvlershme me nenin 5. Kështu Ukraina nuk do të duhet të heqë dorë formalisht nga anëtarësimi dhe nuk do të duhet të ndryshojë kushtetutën e saj. Moska, nga ana e saj, ka shpallur se është e gatshme të nënshkruajë një pakt mos-agresioni reciprok me vendet e NATO-s. Por sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, “duhet të jetë një akt juridik ndërkombëtar në çdo aspekt”. Ndërkohë, fjalët e presidentit ukrainas në prag të Krishtlindjes, ku ai shprehu dëshirën për vdekjen e Putinit (pa e përmendur drejtpërdrejt), ngjallin “dyshime mbi aftësinë e tij për të marrë vendime të përshtatshme për një zgjidhje paqësore të konfliktit”. Me fjalë të tjera, për paqen duhet ende të pritet. /Corriere della Sera