BOTA, 14 Dhjetor 2025, 20:33

Nga Christchurch në Bondi të Australisë, historia e sulmeve që rikthen në qendër të vëmendjes shënjestrimin fetar si motiv kryesor

Nga Christchurch në Bondi të Australisë, historia e sulmeve

Për dekada me radhë, Oqeania konsiderohej gjeografikisht dhe politikisht jashtë hartës së terrorizmit ndërkombëtar. Australia dhe Zelanda e Re e trajtonin dhunën si një devijim sporadik, jo si kërcënim strukturor. Ky perceptim u shemb në Christchurch në vitin 2019.

Gjashtë vite më vonë, ai vihet sërish në provë në Australi, me një sulm që rikthen në qendër të vëmendjes shënjestrimin fetar si motiv kryesor.

Më 15 mars 2019, Zelanda e Re u përball me sulmin më të rëndë terrorist në historinë e saj. Një ekstremist i djathtë hapi zjarr në dy xhami në Christchurch, Al Noor Mosque dhe Linwood Islamic Centre, gjatë faljes së së premtes. Bilanci ishte 51 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur.

Objektivat ishin të qarta: besimtarë myslimanë, të paarmatosur, në vende kulti. Motivi ishte ideologjik dhe i drejtpërdrejtë, supremaci e bardhë, urrejtje antimuslimane dhe dëshirë për shembull frikësues. Autori veproi i vetëm, por jo në izolim.

Ai ishte radikalizuar në internet dhe synoi ta shndërronte dhunën në mesazh, duke transmetuar drejtpërdrejt sulmin. Christchurch nuk ishte thjesht një masakër. Ishte hyrja e Zelandës së Re në një realitet të ri terrorist.

Gjashtë vite më pas, Australia përballet me një reflektim shqetësues të kësaj realiteti. Sulmi në Bondi, një nga hapësirat publike më simbolike të vendit, ndodhi në afërsi kohore me ditën e parë të Hanukës, duke sjellë komunitetin hebraik në qendër si objektiv i mundshëm.

Hetimet janë ende në zhvillim, por simbolika është e fortë. Ashtu si në Christchurch, edhe në Bondi nuk u godit një objektiv shtetëror apo institucional. U godit shoqëria në formën e saj më të pambrojtur, njerëz të zakonshëm, hapësira publike, identitet fetar.

Historikisht, Australia nuk ka qenë arenë e vazhdueshme e terrorizmit. Incidentet kanë qenë të pakta, por përcaktuese. Nga sulmi me bombë në hotelin Hilton në Sidnei më 1978, me tre të vdekur, që çoi në krijimin e mekanizmave modernë kundër terrorizmit, deri te kriza e pengjeve në Lindt Café në vitin 2014, terrorizmi trajtohej si përjashtim.

Vitet e fundit, shërbimet australiane të sigurisë evidentojnë një zhvendosje të qartë të kërcënimit, më pak rrjete të organizuara, më shumë autorë të vetëm, rritje e shënjestrimit fetar dhe ideologjik, në përputhje me modelet globale.

Terrorizmi në Australi – Kronologjia dhe Vlerësimi

1970–1980: Dhunë politike dhe etnike

1978 – Sidnei, Hoteli Hilton

Sulm me bombë gjatë Samitit të Komonuelthit 3 të vdekur
Çështje e diskutueshme, me teori për përfshirje vendase ose të huaja
Pikë kthese për krijimin e mekanizmave modernë antiterroristë
1980–1989

Sulme të kufizuara me intensitet të ulët
Motive nacionaliste ose aktiviste
Përdorim i mjeteve shpërthyese artizanale
1990–2000: Kërcënim i brendshëm, profil i ulët

Mungesë sulmesh masive
Forcim i shërbimeve sekrete (ASIO)
Fokus në parandalim dhe monitorim
2001–2010: Epoka pas 11 shtatorit

2005: Plane sulmesh në Sidnei dhe Melburn
Shkatërrim i celulave islamiste para veprimit
Asnjë sulm i realizuar, por kërcënim real i konfirmuar
2009 – Holsworthy Barracks

Plan sulmi ndaj baze ushtarake
Autorët u dënuan për terrorizëm
2014–2018: Terrorizëm islamist dhe “aktorë të vetmuar”

2014 – Lindt Café, Sidnei

Pengmarrje, 3 të vdekur
Tronditja më e madhe terroriste moderne për Australinë
2015: Vrasja e një oficeri policie në Parramatta

Sulm i armatosur nga një 15-vjeçar, i frymëzuar nga Shteti Islamik
 Pjesë e fenomenit të vetë-radikalizimit
2017 – Brighton, Melburn

Pengje në apartament, 1 i vdekur
Autori shpalli besnikëri ndaj ISIS
2019–2022: Zhvendosje drejt kërcënimit të ekstremit të djathtë

Forcim i rrjeteve neo-naziste
Arrestime të shumta për plane sulmesh
Objektiva: pakica, hapësira publike, infrastrukturë
ASIO paralajmëron për rrezik serioz nga terrorizmi i djathtë
2023–2025: Kërcënim hibrid dhe incidente të izoluara

Aktorë të vetmuar
Radikalizim digjital
Përdorim thikash, automjetesh, armësh të lehta
Shumica e sulmeve neutralizohen para se të ndodhin