BOTA, 31 Dhjetor 2025, 19:34

New York-u nis vitin 2026 me dy ceremoni të veçanta, Zohran Mamdani betohet si kryebashkiak

New York-u nis vitin 2026 me dy ceremoni të veçanta, Zohran Mamdani

New York po përgatitet të presë vitin 2026 me një ndryshim historik në udhëheqjen lokale, ndërsa Zohraan Mamdani merr detyrën si kryebashkiak.

Ceremonia e betimit do të zhvillohet në një mënyrë të veçantë dhe simbolike, në dy ngjarje të veçanta, duke shënuar një kapitull të ri për qytetin.

Sipas AP, ceremonia e parë do të jetë një event i vogël dhe privat në mesnatë, në stacionin e vjetër të metrosë pranë Bashkisë së Manhattanit. Ky stacion, që shërbeu si stacion qendror i linjës së parë të metrosë së qytetit nga viti 1904 deri më 1945, u përzgjodh nga Mamdani për të nderuar punonjësit që mbajnë qytetin në funksion çdo ditë. Betimin do ta kryejë Prokurorja e Përgjithshme e New York-ut, Letitia James.

Ceremonia e dytë, publike, do të zhvillohet pasdite në shkallët e Bashkisë. Ajo do të udhëhiqet nga senatori Bernie Sanders, një nga figurat politike që kanë shërbyer si model për Mamdanin, ndërsa deputetja Alexandria Ocasio-Cortez do të mbajë fjalimin hapës.

Ngjarja do të shoqërohet me performanca të drejtpërdrejta, muzikë dhe elemente ndërfetare, dhe pritet të tërheqë mijëra banorë përgjatë një pjese të Broadway-it drejt Bashkisë.

Simbolika e zgjedhjeve të kryebashkiakut të ri

Duke zgjedhur stacionin e Bashkisë për betimin e parë, Mamdani synon të lidhë të kaluarën e qytetit me administratën e tij të re, duke theksuar se kujdesi për punonjësit dhe krijimi i një mjedisi urban të gjallë dhe funksional do të jenë prioritetet kryesore të mandatit të tij.

Siç deklaroi vetë Mamdani, ambicia për një qytet të bukur dhe funksional nuk duhet të kufizohet në të kaluarën apo të mbetet e fshehur në tunelat nën Bashki, por duhet të shërbejë si udhërrëfyes për çdo veprim të administratës së re.