BOTA, 10 Gusht 2025, 17:40

Negociatat për armëpushim/ Trump po shqyrton mundësinë e ftesës së Zelensky në takimin me Putinin në Alaska

Negociatat për armëpushim/ Trump po shqyrton mundësinë e

Shtëpia e Bardhë është duke shqyrtuar mundësinë e përfshirjes së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një takim të mundshëm mes Donald Trump dhe Vladimir Putin që pritet të mbahet në Alaska, raportoi NBC News, duke cituar një zyrtar të lartë amerikan dhe disa burime të informuara mbi diskutimet e brendshme.

Ky zhvillim vjen një ditë pasi Uashingtoni dhe Moska konfirmuan se presidentët e SHBA-së dhe Rusisë do të takohen të premten për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë.

Sipas burimeve, pjesëmarrja e Zelensky-t nuk është ende e konfirmuar, por është duke u konsideruar seriozisht nga administrata. “Po diskutohet,” ka thënë një nga personat e përfshirë në bisedime, ndërsa një zyrtar i lartë i administratës shtoi se një samit trepalësh është “absolutisht” i mundshëm.

Megjithatë, deri tani nuk ka një ftesë zyrtare për Zelensky-n, sipas një tjetër zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë, i cili deklaroi: “Presidenti mbetet i hapur për një takim trepalësh me të dy udhëheqësit. Për momentin, fokusi është te planifikimi i takimit dypalësh të kërkuar nga Presidenti Putin.”

Para konfirmimit të samitit, Trump deklaroi për gazetarët se “jemi shumë pranë një marrëveshjeje” që mund t’i japë fund konfliktit në Ukrainë, duke shtuar se marrëveshja mund të përfshijë “disa shkëmbime territoresh në dobi të të dyja palëve”.