BOTA, 28 Shkurt 2024, 11:21

Ndërroi jetë në burg, ja kur do të mbahet ceremonia mortore për Alexei Navalny

Ndërroi jetë në burg, ja kur do të mbahet ceremonia mortore

Lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny do të varroset disa ditë pas vdekjes në Moskë, më 1 mars.

Sipas BBC, shërbimi do të mbahet në varrezat e Borisovskoye, pas një ceremonie lamtumire në rrethin Maryino.

Zëdhënësja e liderit të opozitës tha se ekipi po përpiqej të gjente një shtëpi funerali, por disa refuzuan të mbanin shërbimin kur zbuluan se për kë ishte.

Trupi i tij u mbajt peng nga autoritetet ruse për disa ditë pas vdekjes. Sipas nënës së Navalny, ata i kishin kërkuar të zhvillonte një ceremoni mortore të fshehtë, në të kundërt nuk do ta shite më trupin e tij.

Alexei Navalny vdiq papritur në një burg të Arktikut në fillim të këtij muaji, më 16 shkurt. Për vite me radhë, ai ishte kritiku më i lartë i presidentit rus Vladimir Putin.

Sipas zyrtarëve të burgut, Navalny humbi ndjenjat teksa doli në ajrim dhe përpjekjet e për ta risjellë në jetë dështuan.

Kritiku më i madh i Presidentit Vladimir Putin, Navalny po vuante një dënim me 19 vjet burg për vepra të ndryshme, që konsiderohen si të motivuara politikisht.

47-vjeçari u transferua në një burg të Arktikut, i konsideruar si një nga burgjet më të vështira, në fund të vitit të kaluar.

Pavarësisht burgosjes së tij, Navalny shpesh ka sulmuar Kremlinin përmes mediave sociale, duke përshkruar kalvarin e tij pas hekurave dhe duke dënuar Putinin për luftën në Ukrainë. Por izolimi i tij u thellua kur tre nga avokatët e tij u arrestuan në tetor të dyshuar për aktivitet “ekstremist”.

47-vjeçari ishte figura më e njohur e opozitës në Rusi. Për vite të tëra, ai e ka quajtur Putinin dhe elitën në pushtet si një bandë “mashtruesish dhe hajdutësh“.

Ai fitoi admirim në mbarë botën kur u kthye në Rusi në vitin 2021 nga Gjermania, ku iu nënshtrua trajtimit për atë që testet laboratorike perëndimore treguan se ishte një përpjekje për ta helmuar atë me një agjent nervor në Siberi.

Navalny deklaronte se akuzat e shumta kundër tij, nga mashtrimi dhe përbuzja e gjykatës deri te një sërë aktivitetesh “ekstremiste”, ishin të gjitha të sajuara për të heshtur sulmet e tij ndaj Putinit.