BOTA, 25 Nëntor 2025, 20:57

NATO ngre avionët pasi dronët rusë depërtuan në thellësi të territorit rumun

NATO ngre avionët pasi dronët rusë depërtuan në

Avionë luftarakë gjurmojnë dy mjete ajrore pa pilot që shkelën hapësirën ajrore të Rumanisë, sipas Reuters.

NATO ngriti sot në ajër avionët luftarakë për të ndjekur dy dronë rusë që hynë në hapësirën ajrore të Rumanisë, depërtimi më i thellë  në territorin e këtij vendi të aleancës që nga nisja e luftës së Ukrainës.

Avionë gjermanë “Eurofighter Typhoon” dhe “F-16” rumunë u ngritën në dyshe për të ndjekur mjetet ajrore pa pilot. I pari u kthye në hapësirën ajrore të Ukrainës, ndërsa i dyti u gjet i rrëzuar në Puiești, rreth 70 milje nga kufiri me Ukrainën.

Ministri rumun i Mbrojtjes, Ionuț Moșteanu, tha se dy pilotë gjermanë kishin marrë urdhër ta godisnin dronin e dytë.

Në fund, ai duket se u rrëzua vetë, ndoshta pasi i mbaroi karburanti. Ekspertiza e mbeturinave tregoi se droni ishte i paarmatosur.

“Ai mund të ishte shkatërruar nëse do të plotësoheshin të gjitha kushtet… pilotët duhej ta shikonin, ta angazhonin, ta kapnin në radar dhe të kishin mundësi të lëshonin raketën”, tha ministri.

Kjo është hera e 13-të që hapësira ajrore e Rumanisë shkelet nga dronë rusë, incidenti i tretë brenda një jave dhe i pari gjatë ditës.

Javën e kaluar, në anën rumune të kufirit shumë njerëz u evakuuan kur një cisternë me gaz të lëngshëm u godit dhe mori flakë në portin ukrainas të Izmailit, përtej Danubit.

Ndërkohë, gjashtë dronë hynë natën në hapësirën ajrore të Moldavisë, sipas ministrisë së mbrojtjes së vendit.

Në shtator, 21 dronë të paarmatosur *Gerbera* hynë qëllimisht në Poloni, duke nxitur NATO-n të krijonte misionin ”Eastern Sentry”, me patrulla të shtuara të avionëve luftarakë përgjatë krahut lindor të aleancës.

Megjithatë, përdorimi i avionëve luftarakë për të rrëzuar dronë është mënyrë e shtrenjtë dhe jo gjithmonë praktike, sidomos për shkak të rrezikut të rrëzimit të mjeteve ajrore ruse ose të panjohura mbi zona të banuara.

Gjatë një vizite në bazën ajrore “Mihail Kogălniceanu”në Rumani, gjenerali Christopher Donahue, komandanti i ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë, tha se një system i ri  për rrëzimin e dronëve do të vendoset së shpejti në vend.

“Ne e kemi testuar dhe është në fazat përfundimtare të zbatimit. Ushtarët rumunë dhe të aleancës janë trajnuar për këtë teknologji dhe shumë shpejt do ta shihni të vendosur në deltën e Danubit”, deklaroi ai.