TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me tragjedinë gjatë një misioni zhytjeje në Maldive, ku një ekspeditë shkencore rezultoi fatale dhe la pas pesë viktima, të gjithë shtetas italianë.
Orietta Stella, avokate e operatorit turistik Albatros Boat Tour që shoqëronte italianët, ka deklaruar se zhytja në shpellë nuk ishte pjesë e programit të autorizuar dhe se grupi nuk dispononte pajisjet apo certifikimet e nevojshme për një operacion të tillë.
Në një intervistë për mediat italiane, Stella, tha se preferon të mos japë versione personale mbi atë që ndodhi, duke respektuar familjet e viktimave dhe hetimet që po zhvillohen nga policia e Malé dhe Prokuroria e Romës. Sipas saj, debati mbi lejet për zhytje mbi 30 metra thellësi nuk është çështja kryesore.
“Nuk është problemi thellësia, por depërtimi në shpellë, për të cilin kërkohen standarde shumë specifike, certifikime dhe pajisje të posaçme”, u shpreh ajo.
Avokatja sqaroi se zhytja në shpellë ndryshon nga ajo në “cavernë”, pasi në momentin kur humbet kontakti vizual me dritën e daljes, nevojiten kabllo orientimi, sinjalizues, ndriçim rezervë dhe pajisje të dyfishta sigurie.
“Sipas dijenisë sime, asnjë nga pesë zhytësit nuk kishte certifikim specifik për zhytje në shpellë”, deklaroi Stella.
Ajo theksoi se anija “Duke of York”, e përdorur për ekspeditën, ishte e pajisur vetëm për zhytje rekreative dhe jo për operacione teknike në thellësi apo në ambiente të mbyllura.
“Nuk kishim pajisjet e nevojshme për një zhytje të tillë. Operatorët tanë janë të autorizuar vetëm për zhytje rekreative sipas ligjit maldivian të vitit 2003”, shtoi ajo.
Sipas Stellës, edhe në rastin kur zhytja në 50 metra do të konsiderohej pjesë e kërkimit shkencor, do të duheshin pajisje speciale, përfshirë bombola dekompresioni, të cilat ligji për zhytjet rekreative në Maldive nuk i lejon.
Ajo konfirmoi gjithashtu se grupi kishte me vete vetëm pajisje standarde personale si kompjuterë zhytjeje, regulatorë dhe bombola të zakonshme, por jo pajisje profesionale për depërtim në shpellë.
Në lidhje me faktin pse instruktori dhe drejtuesi i zhytjes nuk e ndaloi operacionin, Stella refuzoi të komentojë, duke deklaruar se pret rezultatet e hetimeve. Ajo sqaroi gjithashtu se instruktori nuk ishte punonjës i drejtpërdrejtë i Albatros Boat Tour, por i një kompanie maldiviane që administron anijen.
Në fund, avokatja theksoi se operatori turistik ishte në dijeni të ekzistencës së një ekspedite shkencore të autorizuar nga qeveria maldiviane për marrje mostrash koralesh dhe studim të specieve detare, por jo për një zhytje me depërtim në shpellë.
“Nuk dinim asgjë për këtë zhytje dhe nuk do ta kishim autorizuar kurrë, pikërisht për mungesë pajisjesh dhe autorizimesh”, përfundoi ajo, duke shtuar se kompjuterët e zhytjes dhe kamerat GoPro pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.