TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një video e majit 2025, e filmuar në aeroportin e Hanoi-t gjatë vizitës zyrtare të çiftit presidencial në Vietnam, ku shihen Emmanuel Macron dhe Brigitte Macron, ka rikthyer sërish debatet në mediat ndërkombëtare mbi një moment që u interpretua në rrjete sociale si një “shuplakë” e Zonjës së Parë ndaj presidentit.
Pamjet tregojnë Brigitte Macron duke i vendosur duart në fytyrë presidentit në momentin kur dera e avionit po hapej, ndërsa Elizeu më herët e kishte mohuar çdo konflikt, duke e cilësuar situatën si një “moment të zakonshëm dhe jo sherr”.
Sipas një raportimi të publikuar në median franceze Le Figaro, dhe bazuar në deklaratat e gazetarit Florian Tardif në RTL si dhe në librin e tij investigativ, arsyeja e këtij tensioni të pretenduar lidhet me një mesazh në telefonin e presidentit francez.
Gazetari pretendon se Brigitte Macron ka parë një mesazh nga aktorja franko-iraniane Golshifteh Farahani, gjë që sipas tij ka shkaktuar një debat mes çiftit presidencial. Ai shton se mes presidentit dhe aktores ka pasur një “marrëdhënie platonike” dhe shkëmbim mesazhesh me natyrë personale, përfshirë komplimente.
Sipas këtij versioni, tensioni i krijuar për shkak të këtyre mesazheve dyshohet të ketë vazhduar edhe në avion, duke u reflektuar në momentin e filmuar nga kamerat në aeroport.
Megjithatë, këto pretendime mbeten të pakonfirmuara zyrtarisht nga Elizeu apo nga vetë personat e përmendur, ndërsa më herët autoritetet franceze kanë theksuar se videoja është keqinterpretuar dhe nuk tregon një konflikt serioz mes çiftit presidencial./ Le Figaro