BOTA, 28 Prill 2026, 10:41

Merz: SHBA po ‘poshtërohet’, iranianët të aftë në mosnegociim. Amerikanët po udhëtojnë dhe largohen nga Pakistani, pa asnjë rezultat

Merz: SHBA po ‘poshtërohet’, iranianët të aftë

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara po “poshtërohen” nga udhëheqja e Iran në procesin e negociatave mes dy vendeve, duke ngritur shqetësime për ecurinë e bisedimeve diplomatike.

Duke folur në një aktivitet me studentë në Marsberg, Merz kritikoi mënyrën se si po zhvillohen diskutimet, duke thënë se pala iraniane po shfaqet më e aftë në taktika negociuese, duke i lënë përfaqësuesit amerikanë pa rezultate konkrete.

“Iranianët janë padyshim shumë të aftë në negociata, ose më saktë, shumë të aftë në mosnegociimin, duke i lënë amerikanët të udhëtojnë për në Islamabad dhe pastaj të largohen përsëri pa asnjë rezultat.

Një komb i tërë po poshtërohet nga udhëheqja iraniane, veçanërisht nga të ashtuquajturat Garda Revolucionare. Dhe shpresoj që kjo të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.“, tha ai.

Sipas tij, kjo situatë po dëmton pozicionin e SHBA-së në arenën ndërkombëtare dhe reflekton një mungesë progresi në përpjekjet për të arritur një marrëveshje me Teheranin.

Deklaratat e Merz vijnë në një moment tensionesh të shtuara diplomatike dhe ndërsa presidenti i SHBA është shprehur kritik ndaj aleatëve se nuk e kanë ndihmuar në luftën e nisur javë më parë ndaj Iranit.

Ndërkohë sa i përket bisedimeve, Irani paraqiti një propozim të ri të hënën për një marrëveshje armëpushimi të përqendruar në hapjen e ngushticës së Hormuzit, duke lënë mënjanë diskutimet mbi armët bërthamore, raketat, sanksionet dhe çështje të tjera për më vonë, sipas zyrtarëve në rajon.

Por, si duket, presidenti i SHBA nuk është i kënaqur me këtë propozim, duke qenë se e ka bërë të qartë edhe më herët që vija e kuqe mbetet programi bërthamor i Teheranit.