BOTA, 5 Janar 2025, 15:57

Meloni zhvillon vizitë të papritur në rezidencën e Trump, presidenti i zgjedhur: Ajo me të vërtetë e pushtoi Evropën!

Meloni zhvillon vizitë të papritur në rezidencën e Trump,

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni e ka realizuar një vizitë jozyrtare dhe të papritur në rezidencën e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump në Florida, ka konfirmuar zyra e saj të dielën. Në disa fotografi të publikuara nga zyra e kryeministres, Meloni dhe Trump shihen duke bërë fotografi në hyrjen e rezidencës, dhe me vonë duke biseduar.

Zyra e saj nuk ka dhënë më shumë hollësi për vizitën. Fotografitë e dy liderëve konservatorë afër njëri-tjetrit janë publikuar në faqet e para të të gjitha gazetave italiane. Disa gazetarë raportuan për takimin në Platformën X.

“Ajo me të vërtetë e ka pushtuar Evropën”, tha Trump për Melonin, raportoi një reporter i Bloomberg. Kryetarja e partisë së djathtë “Vëllezërit e Italisë” ka marrëdhëniet më të mira me kampin Trump.

Meloni gjithashtu mban një marrëdhënie miqësore me miliarderin amerikan Elon Musk, i cili këshillon republikanin dhe aktualisht shihet shpesh në krah të tij. 

Meloni është njëra prej liderëve botërorë, përfshirë kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau dhe kryeministrin hungarez, Viktor Orban, që kanë vizituar Trumpin para inaugurimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, më 20 janar.