BOTA, 5 Dhjetor 2025, 23:02

Meloni: SHBA mbron interesat e saj, të njëjtën gjë duhet të bëjë dhe Europa

Meloni: SHBA mbron interesat e saj, të njëjtën gjë duhet

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka dhënë një intervistë të zgjeruar për edicionin qendror të lajmeve në televizionin “La7”, ku ka komentuar zhvillimet kryesore ndërkombëtare dhe debatet e brendshme politike në Itali.

Meloni hodhi poshtë idenë se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Europës janë përkeqësuar, duke theksuar se diskutimet e fundit për strategjinë e përbashkët transatlantike janë një proces i natyrshëm. “Nuk besoj se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës janë krisur. Ajo që diskutohet sot është pjesë e një procesi historik të pashmangshëm. Europa, nëse do të ketë peshë, duhet të jetë në gjendje të mbrojë vetveten dhe jo të varet gjithmonë nga të tjerët”, u shpreh ajo. Sipas Melonit, një autonomi më e madhe evropiane në fushën e sigurisë ka kosto ekonomike, por krijon liri të vërtetë politike.

Sa i përket luftës në Ukrainë, Meloni theksoi se linja e qeverisë italiane mbetet e pandryshuar. “Ne e kemi mbështetur Kievin që në fillim, sepse vetëm kështu mund të ndërtohej një rrugë drejt paqes. Po të mos e kishim mbështetur Ukrainën, pushtimi do të kishte përfunduar dhe nuk do të kishte asnjë proces paqeje. Sot kemi nisur negociata të para falë forcës penguese që u krijua. Pikërisht për këtë arsye, qëndrimi i Italisë nuk duhet të ndryshojë”, deklaroi kryeministrja.

E pyetur për situatën në Lindjen e Mesme, Meloni u shpreh se Italia do ta njohë shtetin e Palestinës vetëm pasi Hamas të jetë çarmatosur dhe të garantohet se nuk do të ketë rol në qeverisjen e Gazës. Ajo njoftoi gjithashtu se në ditët në vijim do të presë në Romë presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas. “Ne kemi qenë të qartë edhe në OKB: Izraeli nuk duhet të pengojë krijimin e një shteti palestinez dhe as të nxisë vendbanime të reja në Bregun Perëndimor. Për këtë arsye kemi nënshkruar Deklaratën e Nju Jorkut për zgjidhjen me dy shtete”, theksoi Meloni.

Në fund të intervistës, kryeministrja komentoi referendumin që pritet të zhvillohet në mars në Itali, i cili synon ndarjen e karrierave të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Meloni e cilësoi këtë reformë si “shumë të rëndësishme”, sepse rrit autonominë e sistemit gjyqësor dhe përcakton mekanizma të qartë kontrolli ndaj gabimeve eventuale të gjyqtarëve. Ajo përsëriti se, pavarësisht rezultatit të votimit, nuk do të japë dorëheqjen nga drejtimi i qeverisë.