TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Melania Trump ka hapur një kapitull të ri në karrierën e saj, duke krijuar kompaninë e prodhimit filmik “Muse Films”, e cila u prezantua për publikun përmes një videoje të shkurtër në rrjetet sociale, ku u zbulua edhe logoja zyrtare.
Projekti i parë i kompanisë do të jetë dokumentari “Melania”, që pritet të shfaqet në kinematë amerikane më 30 janar, e më pas në platformën Amazon Prime Video. Filmi sjell një vështrim të rrallë në 20 ditët e fundit para se ajo të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë pas inaugurimit të Presidentit Donald Trump, më 20 janar.
Sipas përshkrimit zyrtar, dokumentari i fton shikuesit të “hyjnë në botën e Melania Trump”, duke e ndjekur atë teksa përgatit ceremoninë e inaugurimit, kalon nëpër sfidat e tranzicionit presidencial dhe rikthehet në jetën publike me familjen e saj.
Filmi përmban pamje ekskluzive nga takime të rëndësishme, biseda private dhe hapësira që nuk janë bërë të ditura më parë.
Melania Trump është producente ekzekutive e dokumentarit, ndërsa regjinë e mban Brett Ratner, i njohur për suksesin e “Rush Hour”. Ky projekt vjen në një kohë kur Paramount po zhvillon edhe “Rush Hour 4”, me rikthimin e Ratner, Jackie Chan dhe Chris Tucker, sipas njoftimeve të mediave amerikane.
Filmi vjen teksa Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC), gjatë administratës Trump, ka miratuar një bashkim prej 8 miliardë dollarësh midis Paramount Global dhe Skydance Media. Në krye të kompanisë së re të bashkuar është vendosur David Ellison, djali i Larry Ellison.