TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar për të dytën ditë radhazi kryeministren italiane Giorgia Meloni, duke vënë në pikëpyetje marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Romës dhe qëndrimin e Italisë ndaj krizës në Iran.
Në një intervistë për mediat amerikane, Trump deklaroi se raportet me Italinë “nuk janë më të njëjtat”, duke kritikuar vendet që, sipas tij, nuk kanë mbështetur mjaftueshëm përpjekjet amerikane në menaxhimin e situatës në Lindjen e Mesme. Ai përmendi gjithashtu varësinë energjetike të Italisë dhe furnizimet përmes Ngushticës së Hormuzit.
Në përgjigje të tërthortë, Meloni, gjatë një takimi në Romë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, theksoi se aleanca euroatlantike duhet të mbetet e bashkuar.
“Aleanca euroatlantike nuk mund të ndahet”, u shpreh kryeministrja italiane, duke nënvizuar rëndësinë e unitetit përballë sfidave globale dhe luftës në Ukrainë.
“Një Perëndim i përçarë do të ishte avantazh për Rusinë”, u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet një kundërpërgjigje të tërthortë ndaj presionit dhe kritikave nga Uashingtoni.
Zelensky nga ana e tij vlerësoi mbështetjen e Italisë për Ukrainën, ndërsa Roma rikonfirmoi angazhimin për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe prodhimin e përbashkët ushtarak.
Tensionet e fundit mes Uashingtonit dhe Romës vijnë në një moment kur zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe lufta në Ukrainë po ndikojnë ndjeshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare.