BOTA, 23 Dhjetor 2025, 22:32

Macron i drejtohet Trump: Groenlanda i përket popullit të saj

Macron i drejtohet Trump: Groenlanda i përket popullit të saj

Groenlanda i përket popullit të saj dhe Danimarka është garantuesi i saj, tha sot presidenti francez, Emmanuel Macron në një reagim ndaj deklaratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të aneksuar territorin danez.

“Unë bashkohem me zërin e evropianëve në shprehjen e solidaritetit tonë të plotë”, shkroi presidenti francez në X.

Macron vizitoi në kryeqytetin, Nuuk në qershor për të konfirmuar mbështetjen e Francës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Danimarkës dhe Groenlandës.

Presidenti amerikan, Donald Trump emëroi dje një të dërguar të posaçëm në Groenlandë, i cili menjëherë u zotua se do ta bënte territorin autonom danez pjesë të SHBA-së.

Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, Trump ka thënë vazhdimisht se SHBA-ja kishte nevojë për ishullin e pasur me burime Arktike për arsye sigurie duke refuzuar të përjashtonte përdorimin e forcës për ta siguruar atë.

Trump emëroi dje guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguarin e posaçëm në Groenlandë.

Groenlanda, e vendosur midis Amerikës së Veriut dhe Evropës, është një vend strategjik në interes të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë në Arktik, ndërsa gara për metalet e rralla nxehet dhe shkrirja e akullit e shkaktuar nga ngrohja globale po hap rrugë të reja transporti detar.

Vendndodhja e Groenlandës e vendos atë gjithashtu në rrugën më të shkurtër për raketat midis Rusisë dhe SHBA-së.

SHBA-ja ka bazën e saj ushtarake “Pituffik” në Groenlandë, një pjesë thelbësore e infrastrukturës së mbrojtjes nga raketat të Uashingtonit. Gjithashtu, ajo hapi një konsullatë në ishull në qershor 2020.

Vendosmëria e Trump për të marrë Groenlandën ka tronditur Danimarkën, një anëtare themeluese e NATO-s, e cila ka luftuar përkrah Amerikës në luftërat e saj në Afganistan dhe Irak.

Në janar, Danimarka njoftoi planin prej 2 miliardë dollarësh për të rritur praninë e saj ushtarake në rajonin e Arktikut.