BOTA, 20 Korrik 2022, 09:59

Lufta në Ukrainë, analiza: A do ta përballojë Europa ngrohjen këtë dimër mes krizës së gazit rus?

Lufta në Ukrainë, analiza: A do ta përballojë Europa

Ndërsa Evropa digjet në valën e të nxehtit, disa nga udhëheqësit e saj po sigurojnë furnizues të rinj me gaz në përpjekje për të përballuar ngrohjen këtë dimë,  pasi lufta në Ukrainë e detyron kontinentin të përballet me varësinë e tij nga gazi rus.

Por analistët paralajmërojnë se burimet e reja të gazit nuk do ta zgjidhin problemin që do të thotë se evropianët nuk do të kenë zgjidhje tjetër veçse të ulin konsumin e tyre të energjisë.

Pavarësisht vapës së madhe, së shpejti pritet që evropianët të frenojnë përdorimin e ajrit të kondicionuar në mënyrë që të përgatitet për dimrin.

Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi javën e kaluar për një “skenar ku që situata të menaxhohet plotësisht pa gazin rus”, sepse Moska po e përdor atë si një “armë lufte”. Prandaj, Franca do të duhet të kalojë një kohë të “kufizimit të energjisë“., ka thënë Macron.

Problemi u bë i mprehtë në mes të qershorit kur firma shtetërore ruse e energjisë Gazprom reduktoi furnizimin me gaz në tubacionin Nord Stream 1 në vetëm 40 për qind të kapacitetit.

Tubacioni siguron gaz rus për Gjermaninë përmes Detit Baltik  dhe Berlini i frikësohet faktit se Moska do të ndalojë plotësisht furnizimet kur tubacioni të planifikohet të rihapet më 21 korrik pas dhjetë ditësh mirëmbajtje.

Gjermania ende merr 35 për qind të gazit të saj nga Rusia nga 55 për qind përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën. Franca është më pak e varur, por ende e ekspozuar, duke importuar 17 për qind të gazit të saj nga Rusia.

Rusia tashmë ka ndaluar dërgimin e gazit në Finlandë, Poloni dhe Bullgari për shkak të refuzimit të tyre për të paguar në rubla  dhe tani ekziston një “rrezik shumë i fortë” që Moska të ndjekë shembullin me të gjithë kontinentin dhe të shkurtojë plotësisht furnizimet me gaz para dimrit, paralajmëroi Jacob Kirkegaard, një bashkëpunëtor i lartë në ekonomi dhe tregti në byronë e Fondit Gjerman Marshall në Bruksel.

Presidenti rus Vladimir Putin “ka nevojë për një rivendosje në luftën e Ukrainës”, tha Kirkegaard, dhe një mënyrë për ta bërë këtë është duke ngatërruar furnizimet me energji të Evropës me shpresën se mbështetja për kauzën ukrainase do të zhduket”.

“Mënyra e vetme për të ulur cenueshmërinë tonë dhe për të çaktivizuar përdorimin e një mjeti shantazhi nga Rusia është të fillojmë menjëherë të përgatitemi për një ndalim total të furnizimeve me gaz rus”, shtoi Agata Loskot-Strachota, një specialiste evropiane e energjisë në Qendrën për Studime Lindore në Varshavë.

Në të vërtetë, liderët evropianë kanë nxituar për të rritur furnizimet me gaz jo-rus.

Kryeministri italian Mario Draghi udhëtoi në Algjeri të hënën për të hartuar një marrëveshje për të rritur importet e gazit me 20 për qind, edhe në mes të një krize politike në vend që kërcënon të rrëzojë qeverinë e tij.

Po kështu, presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen shkoi në Azerbajxhan të hënën për të nënshkruar një marrëveshje për të rritur rrjedhën e gazit përmes një rrjeti tubacionesh nga Deti Kaspik në Evropë.

Kontinenti po blen një sasi rekord të gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga vende si SHBA me importe të rritura me 47.7 për qind nga viti në vit në prill.

Importet e LNG-së kanë rritur inventarët evropianë të gazit, të cilat përdoren për të krijuar rezerva në kohë për dimër. Në përgjithësi, inventarët e gazit të vendeve anëtare të BE-së kanë arritur në 52 për qind të kapacitetit, nga 43 për qind në të njëjtën pikë në vitin 2021.

Komisioni i BE-së ka sugjeruar që vendet anëtare të mbushin depozitat e tyre të gazit në 80 për qind të kapacitetit deri më 1 nëntor.

I pyetur nëse këto furnizime jo-ruse mund të plotësojnë nevojat e Evropës për energji në muajt e ftohtë që do të vijnë, Kirkegaard tha se “përgjigjja është jo, mbështetja në furnizues alternativë nuk do të jetë e mjaftueshme”.

Një pjesë e madhe e problemit është se gazi nuk mund të transportohet aq lehtë sa nafta apo qymyri.

Ai duhet të transportohet nëpërmjet tubacioneve nën presion – ose të tregtohet në formë të lëngshme, më pas të shndërrohet përsëri në gaz kur të arrijë në vendin që e blen atë.

Përafërsisht gjysma e infrastrukturës së rigazifikimit të Evropës është e përqendruar në MB dhe Spanjë.

Gjermania aktualisht nuk ka fare kapacitet rigazifikimi.

Berlini ka përshpejtuar ndërtimin e terminaleve të rigazifikimit dhe po jep me qira objekte në det të hapur, të cilat ndërtohen më shpejt.

Në dritën e gjithë kësaj, BE-ja “nuk do të jetë në gjendje të zëvendësojë plotësisht vëllimet e gazit rus këtë dimër”, kështu që ulja e kërkesës do të jetë një “domosdoshmëri”, tha Loskot-Strachota.

Politikëbërësit po përgatiten të ulin më tej kërkesën për gaz.

Ndërsa Franca pret planet e ekonomizimit të Macron, Komisioni i BE-së pritet të zbulojë këtë javë një kërkesë që vendet të kufizojnë ftohjen dhe ngrohjen e ndërtesave.

Gjermania tashmë po u kërkon njerëzve të reduktojnë përdorimin e energjisë, duke nxitur autoritetet lokale të errësojnë llambat e rrugëve dhe të mbyllin pishinat. Nëse gjermanët nuk janë të kujdesshëm, situata mund të bëhet “kritike”, paralajmëroi Zëvendës Kancelari Robert Habeck më 7 korrik.