BOTA, 10 Dhjetor 2025, 18:30

Lavrov rikthehet me kërcënime: S’kemi plan të sulmojmë Evropën, por do i përgjigjemi nëse vendosen në Ukrainë! Vetëm Trump na ka kuptuar

Lavrov rikthehet me kërcënime: S’kemi plan të sulmojmë

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, i shkëputur nga gjeopolitika prej disa javësh pas zërave për “ftohje me shefin e Kremlinit”, foli për kontaktet me Shtetet e Bashkuara mbi një zgjidhje paqësore të konfliktit në Ukrainë gjatë rikthimit të tij, duke akuzuar Bashkimin Evropian se po përpiqet të pengojë këto përpjekje.

Moska dhe Uashingtoni kanë rënë dakord të vazhdojnë përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, tha Lavrov, duke vënë në dukje se “Presidenti Trump është i vetmi udhëheqës perëndimor i cili, menjëherë pas hyrjes në Shtëpinë e Bardhë në janar, filloi të kuptonte arsyet që e bënë luftën në Ukrainë të pashmangshme”.

Bashkimi Evropian po e mashtron veten, duke besuar se mund ta mposhtë Rusinë, vazhdoi Lavrov, duke theksuar se “duke investuar të gjithë kapitalin e tyre politik në luftën me Rusinë, duke përdorur duart dhe trupat e qytetarëve ukrainas, ata, në verbërinë e tyre politike, mashtrojnë veten se mund ta mposhtin disi vendin tonë. Siç theksoi Presidenti Putin, ne nuk kemi ndërmend të shkojmë në luftë me Evropën, nuk kemi mendime të tilla”.

Megjithatë, Moska do t’i përgjigjet çdo veprimi armiqësor, përfshirë vendosjen e njësive ushtarake evropiane në Ukrainë dhe sekuestrimin e pronës ruse, shtoi ministri rus.

BE, sipas Lavrov, po e pengon artificialisht procesin e zgjidhjes diplomatike të çështjes, ndërsa Trump gjithashtu i është referuar kësaj.

“Evropa po përpiqet në çdo mënyrë të nxisë Zelenskyn dhe anëtarët e regjimit të tij të vazhdojnë luftën derisa të vritet ukrainasi i fundit. Kjo ngarkesë ideologjike ndikohet nga arsye ekonomike, pasi ata nuk kanë burime të tjera financimi përveç grabitjes së Rusisë dhe marrjes së rezervave tona të arit dhe valutave të huaja, duke shkelur ligjin ndërkombëtar dhe tregtar”, tha ai.