BOTA, 6 Mars 2026, 17:06

“Kuba do të bjerë së shpejti!”/ Trump: Havana dëshiron marrëveshje me SHBA-në! Janë gati pas 50 vitesh

“Kuba do të bjerë së shpejti!”/ Trump: Havana

Presidenti i SHBA, Donald Trump, deklaroi se Kuba është pranë zhvillimeve të rëndësishme politike, duke vlerësuar se regjimi në ishull “do të bjerë shumë shpejt”. 

Duke folur për situatën në Kubë, ndërsa komentonte edhe për sukseset ushtarake të SHBA-së gjatë mandatit të tij të dytë, Trump tha gjatë një interviste telefonike për CNN se: “Kuba do të bjerë shumë shpejt. Meqë ra fjala, nuk ka lidhje me atë që po diskutojmë, por edhe Kuba do të bjerë. Ata duan shumë të arrijnë një marrëveshje”.

Presidenti amerikan shtoi se synon t’ia besojë këtë çështje sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

“Ata duan të bëjnë një marrëveshje dhe kështu do t’ia jap këtë çështje Markos (Rubio) që ta trajtojë dhe do të shohim si do të zhvillohet. Për momentin jemi shumë të përqendruar te ajo që po ndodh tani. Kemi kohë të mjaftueshme, por Kuba është gati — pas 50 vitesh”, u shpreh ai.

Trump theksoi se ka ndjekur zhvillimet në këtë vend për dekada dhe se situata, sipas tij, ka evoluar në një mënyrë që lidhet edhe me politikat e tij.

“E kam ndjekur për 50 vjet dhe tani situata ka ardhur në duart e mia. Sistemi është rrëzuar, por në çdo rast gjithçka ka ardhur në këtë pikë. Dhe ne po ecim shumë mirë”, tha ai.

Një ditë më parë, duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump deklaroi se mendon se është “vetëm çështje kohe” që kubanët që jetojnë në SHBA të mund të kthehen në vendin e tyre të origjinës.

Presidenti amerikan la të kuptohet se çështja e Kubës mund të jetë një nga objektivat e radhës të administratës së tij, pas konfliktit që është në zhvillim me Iran.

Duke iu referuar sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, Trump tha: “Ai po bën një punë të shkëlqyer dhe misioni i tij i radhës do të jetë pikërisht ky. Ne duam të merremi me këtë çështje të veçantë të Kubës”.

Më tej ai shtoi se kreu i diplomacisë amerikane beson se fillimisht duhet të përfundojë kriza aktuale përpara se Washington, D.C. të ndërmarrë hapa të rinj.

“Po pret. Por thotë ‘le ta përfundojmë fillimisht këtë’. Mund t’i bënim të gjitha njëkohësisht, por atëherë ndodhin gjëra të këqija. Nëse shihni çfarë ka ndodhur në vende të ndryshme ndër vite, kur bëhen gjërat shumë shpejt, ndodhin gjëra të këqija. Ne nuk do të lejojmë që të ndodhë diçka e keqe në këtë vend”, deklaroi Trump.