BOTA, 9 Dhjetor 2025, 19:06

Kthesë e madhe në politikën teknologjike Amerikane, Trump jep dritën jeshile për t’i shitur Kinës mikroçipat e Nvidia-s

Kthesë e madhe në politikën teknologjike Amerikane, Trump jep

Njoftimi i Donald Trump se Nvidia do të mund të shesë gjysmëpërçues, konkretisht disa nga mikroçipet më të avancuara në Kinë, në pamje të parë duket se përmbys politikat shumëvjeçare që synonin të bllokonin aksesin e Pekinit në teknologjitë e përparuara.

Në Washington, zyrtarët argumentojnë se në lojë është diçka thelbësore, aftësia e Kinës për të përdorur teknologjinë amerikane për të fituar avantazh ushtarak dhe ekonomik, veçanërisht në fushën e Inteligjencës Artificiale.

Duke përjashtuar Kinën, ligjvënësit kërkonin të ruanin epërsinë amerikane në AI dhe të ngadalësonin përpjekjet e Pekinit për të zvogëluar hendekun teknologjik.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, kaloi muaj të tërë dhe shpenzoi qindra miliona dollarë duke u përpjekur të bindte Presidentin Trump të ndryshonte qëndrim.

Ai argumentoi gjithashtu se kufizimet ndaj aksesit të Kinës në teknologjinë amerikane vetëm sa kanë shtyrë kompanitë kineze të përmirësohen më shpejt dhe, më e rëndësishmja, në mënyrë më ekonomike.

Vendimi i Trump-it dje, për t’i lejuar Nvidia-s të shesë çipin e saj të dytë më të fuqishëm, H200, te klientë tregtarë kinezë të verifikuar paraprakisht nga Departamenti amerikan i Tregtisë, “gjen një ekuilibër të dobishëm për Amerikën”, deklaroi një zëdhënës i Nvidia-s.

Pasojat e këtij vendimi mbeten ende të paqarta. Por qeveria kineze ka investuar tashmë miliarda në përpjekjen për t’u bërë superfuqi në Inteligjencën Artificiale.

Prodhuesit vendas të çipeve po përshpejtojnë zhvillimin e gjysmëpërçuesve të avancuar, ndërsa kompanitë kineze të AI janë bërë më efikase në përdorimin e çipeve që kanë në dispozicion.

Bastet e investitorëve se një kompani kineze së shpejti mund të rivalizojë Nvidia-n, kanë rritur ndjeshëm vlerën e aksioneve teknologjike të vendit. Aksioni i Cambricon, një dizajnues çipesh me financim shtetëror, është rritur mbi 120% krahasuar me një vit më parë. Javën e kaluar, Moore Threads, një start-up i krijuar nga një ish-drejtues i Nvidia-s, u listua në bursën e Shangait, në një nga IPO-të më të mëdha të vitit.

Edhe pse çipet kineze aktualisht mbeten më të dobëta në performancë dhe kompanitë hasin kufizime të mëdha prodhimi, ato arrijnë të gjenerojnë deri në 2% të fuqisë llogaritëse të rivalëve të huaj, sipas studimeve perëndimore, një përqindje që duket e vogël, por me rëndësi praktike.

Fuqia llogaritëse është kritike në zhvillimin e AI. Sistemet e avancuara të inteligjencës artificiale funksionojnë me qindra mijëra çipe të vendosura në qendra të dhënash për të krijuar superkompjuterë që konsumojnë sasi të mëdha energjie. OpenAI, krijuesi i ChatGPT, planifikon të ndërtojë pesë instalime të tilla në SHBA, të cilat së bashku do të konsumojnë më shumë energji elektrike sesa tre milionë familje amerikane.

Kërkesa në Kinë për çipe të avancuara mbetet shumë e lartë. Gjigantët teknologjikë, Alibaba, Tencent, ByteDance, kanë investuar shuma të mëdha në AI dhe në infrastrukturën që e mbështet atë. Për kompanitë kineze, aksesimi i çipeve me performancë të lartë, si H200, vjen në një moment kritik.

Zyrtarë që kanë punuar nën administratën Biden paralajmërojnë se aksesimi i çipeve të Nvidia-s mund t’u japë kohë kompanive kineze të AI, ndërsa prodhuesit vendas përmirësojnë prodhimin dhe cilësinë.

Vendimi i Trump-it ka ringjallur debatin për sa e varur do të jetë e ardhmja e AI nga rezerva të mëdha çipesh super të fuqishëm.

Kufizimet amerikane i kanë detyruar kompanitë kineze të bëhen më efikase. Këtë vit, start-up-i DeepSeek surprizoi industrinë duke pretenduar se krijoi sisteme AI që kërkojnë më pak çipe dhe janë dukshëm më të lira për t’u prodhuar. Çipet më të dobëta kineze konsumojnë më shumë energji elektrike, por kostot industriale të energjisë në Kinë janë shumë më të ulëta se në SHBA. Kjo energji e bollshme dhe e lirë u lejon kompanive të ndërtojnë sisteme të avancuara AI pavarësisht kufizimeve teknologjike.

Qeveria kineze inkurajon kompanitë të blejnë çipe vendas dhe ka paralajmëruar se çipet e Nvidia-s mund të paraqesin rreziqe. Në korrik, rregullatori kinez i internetit thirri Nvidia-n të shpjegonte rreziqet e mundshme të sigurisë, duke deklaruar se çipet mund të çaktivizohen nga distanca ose të gjurmojnë vendndodhjen e përdoruesve.

Zgjerimi i aksesit të Kinës në teknologjinë amerikane ka shkaktuar reagime të forta në Kongres dhe tek ish-zyrtarë të administratës Biden. Gjatë verës, Trump propozoi që shteti të marrë një përqindje nga shitjet e çipeve të AI drejt Kinës. Të hënën ai përsëriti se 25% “do të paguhet Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Qasja transaksionale e Trump ndaj eksporteve të çipeve ka krijuar situata paradoksale. Vetëm pak orë para se ai të njoftonte se Departamenti i Tregtisë kishte finalizuar vendimin për shitjen e H200 në Kinë, Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi arrestimin e dy personave për shitjen e të njëjtëve çipe drejt Kinës.

Megjithatë, peizazhi i ri që krijon Trump në marrëdhëniet me Kinën tregon qartësisht një strategji dhe një metodë që për herë të parë dallon nga retorika që ai ka përdorur deri më sot ndaj Pekinit.

Nëse kjo marrëveshje finalizohet, nuk përjashtohet mundësia që Presidenti amerikan, i cili mbetet i palëkundur në aplikimin e tarifave, veçanërisht ndaj Kinës, të ndërmarrë edhe hapa të tjerë. Çështja është se çfarë avantazhi do t’i japin këto lëvizje në planet e tij për të mbajtur Uashingtonin në krye të garës për dominim global.