BOTA, 21 Prill 2026, 19:46

Krizë politike në Rumani, përçahet fronti qeveritar, kryeministrit Bolojan i kërkohet dorëheqja! Vendi rrezikon të humbasë 11 mld euro fonde nga BE

Krizë politike në Rumani, përçahet fronti qeveritar,

Kryeministri rumun Ilie Bolojan tha sot (21 prill) se do të udhëheqë një qeveri minoritare për të siguruar që reformat e nevojshme për të shfrytëzuar fondet e Bashkimit Evropian të zbatohen, duke komentuar tërheqjen e Social Demokratëve (PSD) nga koalicioni qeverisës.

Udhëheqja e PSD-së, partisë më të madhe në koalicion, bëri thirrje të hënën që Bolojan të japë dorëheqjen. Brenda javës, partia do të tërheqë ministrat e saj nga qeveria katërpartiake, duke e lënë atë pa shumicën parlamentare.

Ky vendim e “zhyt” Rumaninë në një krizë politike, e cila pritet të rrisë kostot e huamarrjes (tashmë më të lartat në rajon) dhe të dëmtojë aftësinë kreditore të vendit, si dhe aksesin e tij në fondet evropiane.

Rumania rrezikon të humbasë rreth 11 miliardë euro nga fondet evropiane nëse nuk zbaton reformat për të cilat është zotuar deri në gusht.

PSD, e cila deri më tani ka miratuar të gjitha masat e qeverisë, thotë se mund të kthehet në koalicionin qeverisës, por nën udhëheqjen e një Kryeministri tjetër.

Bolozan, nga ana e tij, tha se Partia Liberale (PNL) kishte përjashtuar mundësinë e një koalicioni të ri me të majtën. Ai shtoi se do të bisedonte me partitë e tjera në koalicion se si mund të funksiononte një qeveri minoritare.

Pasi ministrat socialdemokratë të japin dorëheqjen, Bolojan do të emërojë ministra të përkohshëm nga radhët e anëtarëve të qeverisë aktuale. Ministrat e përkohshëm mund të shërbejnë për 45 ditë, derisa Parlamenti të miratojë përbërjen e një qeverie të re.

Qeveria mund të rrëzohet më shpejt nëse Social Demokratët dhe opozita, Aleanca për Bashkimin e Rumunëve (AUR), nacionaliste e krahut të djathtë, mbështesin një mocion të përbashkët mosbesimi.

Presidenti i qendrës, Nicos Dan, i cili emëron Kryeministrin, i ka bërë thirrje partive për një raund të parë konsultimesh nesër.

Shumica qeverisëse pro-evropiane nuk mund të ekzistojë pa PSD-në, partinë më të madhe në Parlament, e cila mban 28% të vendeve, por mbetet prapa AUR-së në sondazhet e opinionit. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Rumani do të mbahen në kushte normale, në vitin 2028.

Koalicioni aktual qeverisës u formua 10 muaj më parë në një përpjekje për të ndaluar rritjen e partive të ekstremit të djathtë, por partitë përbërëse të tij janë përplasur vazhdimisht për shkak të shkurtimeve buxhetore.