BOTA, 27 Dhjetor 2025, 15:04

Kishin financuar me rreth 7 milionë euro grupin e Hamasit, arrestohen nëntë persona në Itali, mes tyre edhe presidenti i Shoqatës Palestineze

Kishin financuar me rreth 7 milionë euro grupin e Hamasit, arrestohen

Gjatë një operacioni të përbashkët të policisë italiane dhe njësisë speciale të policisë financiare, janë kryer nëntë arrestime nën akuzën për financimin e Hamasit me një shumë totale prej rreth 7 milionë eurosh.

Sipas drejtësisë italiane, paratë dërgoheshin përmes organizatave që, zyrtarisht, vepronin në fushën e vullnetarizmit dhe ndihmës humanitare për popullsinë civile.

Në kuadër të operacionit të sotëm u arrestua edhe presidenti i Shoqatës së Palestinezëve në Itali, Mohammad Hanun.

Sipas prokurorëve italianë, ky sistem i fshehtë financimi i Hamasit ka funksionuar për rreth njëzet vjet. Operacioni u koordinua nga Prokuroria Kombëtare kundër Mafies dhe Terrorizmit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjenovës.

Bazuar në të dhënat e hetimit, Hanun ishte një nga figurat drejtuese të Hamasit dhe dyshohet se mbi 70% e fondeve të siguruara gjatë fushatave në mbështetje të popullsisë civile palestineze janë përdorur për mbështetje të drejtpërdrejtë financiare të Hamasit ose të organizatave që lidhen në mënyrë të tërthortë me të.