TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kina ka vendosur masa të reja për influencuesit në rrjetet dhe mediat sociale. Që nga 25 tetori, krijuesit e përmbajtjes bazuar në një ligj të ri, duhet të vërtetojnë ekspertizën dhe besueshmërinë e tyre me diploma ose certifikime, përpara se të përfshihen në tema të tilla si mjekësia, ligji dhe financa. Mediat e huaja shkruajnë se sipas raporteve kineze, ajo që Kina dëshiron të bëj është të sjellë rregull në kaosin e internetit dhe të vendosë një ligj të ri.
Ky ligj kërkon që ndikuesit të kenë kualifikime zyrtare si diplomë ose një licencë për të ushtruar një profesion, për të qenë në gjendje të diskutojnë tema të ndjeshme si mjekësia, ligji, arsimi dhe financat. Administrata Kiberhapësinore e Kinës pretendon se rregullorja e re synon të luftojë dezinformimin dhe të sigurojë që përdoruesit e internetit të mos mashtrohen nga super ekspertë të cilët, në realitet, nuk kanë trajnim. Platforma të tilla si Douyin, Bilibili dhe Ëeibo do të jenë përgjegjëse për verifikimin e kualifikimeve të krijuesve dhe monitorimin e postimeve për të siguruar që ato përmbajnë referenca dhe paralajmërime të sakta.
Por gjëja më interesante është se krijuesit e përmbajtjes do të duhet të deklarojnë qartë kur informacioni i tyre vjen nga studimet ose nëse përdorin Inteligjencën Artificiale për të prodhuar përmbajtje. Për zyrtarët kinezë, çështja është e qartë: ligji i sjell më shumë besueshmëri dhe saktësi internetit dhe mediave sociale. Megjithatë, kritikët e legjislacionit të ri e shohin atë ndryshe. Për ta, legjislacioni i ri i ngjan censurës dixhitale. Duke vendosur barriera se kush mund të flasë dhe për cilat çështje, qeveria rrezikon të heshtë zërat e pavarur dhe të kufizojë debatin publik. Rregullorja e re vjen në një kohë kur ndikuesit janë bërë ekspertët e rinj në internet. Në vend të diplomave, ata fitojnë besimin e audiencës së tyre me personalitetin dhe imazhin e tyre. Nga këshillat shëndetësore te strategjitë financiare, krijuesit e përmbajtjes shpesh fitojnë ndjekës pa ndonjë kualifikim formal.
Por kjo ka edhe të metat e veta, dezinformimi përhapet lehtësisht kur ekspertët i thjeshtëzojnë tepër çështjet komplekse. Prandaj, ligji i ri duket se po përpiqet t'i japë fund kësaj situate anarkike dhe të sigurojë që ata që flasin hapur për çështje kritike të kenë arsimimin e duhur, sfondin e duhur, për ta bërë këtë. Ky legjislacion i ri mbi ndikuesit nuk është i rëndësishëm vetëm për Kinën, por mund të vendosë edhe një precedent për vendet e tjera që përballen me të njëjtin problem.
Institucionet po përpiqen të rivendosin rendin në universin dixhital, ndërsa krijuesit e përmbajtjes vazhdojnë të thyejnë kufijtë, duke ngritur pyetje në lidhje me ekuilibrin midis lirisë së fjalës dhe mbrojtjes së publikut nga përhapja e lajmeve të rreme dhe teorive të konspiracionit.