BOTA, 23 Maj 2026, 10:06

KINË/ Të paktën 90 të vdekur pas shpërthimit të një miniere qymyri

KINË/ Të paktën 90 të vdekur pas shpërthimit të

Të paktën 90 persona kanë humbur jetën nga një shpërthim në një minierë qymyri në veri të Kinës, raportoi BBC.

Shpërthimi i gazit ndodhi në minierën e qymyrit “Liushenyu”, e operuar nga kompania “Tongzhou Group”, në provincën Shanxi.

Qindra forca shpëtimi janë dërguar në vendngjarje. Pamjet e transmetuara nga mediet shtetërore treguan personel të urgjencës, që transportonin barela në zonën e aksidentit, ndërsa ambulancat prisnin në gatishmëri.

Më shumë se 100 persona raportohet se janë dërguar në spital, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë ende.

Shpërthimi ndodhi dje në orën 19:29 sipas kohës lokale, në një moment kur në minierë ndodheshin 247 punëtorë.

Pas incidentit, presidenti kinez, Xi Jinping kërkoi që të mos kursehej asnjë përpjekje për trajtimin e të plagosurve dhe kërkimin e të mbijetuarve.

Ai gjithashtu urdhëroi hetim të plotë mbi shkaqet e aksidentit dhe kërkoi që përgjegjësit të vendosen para drejtësisë.

Sipas medieve shtetërore, drejtuesit e minierës janë ndaluar nga autoritetet. Shkaku i shpërthimit ende nuk është bërë i ditur, por raportimet paraprake tregojnë se nivelet e monoksidit të karbonit — një gaz shumë toksik dhe pa erë — kishin tejkaluar kufijtë e lejuar brenda minierës.

Ministria kineze e Menaxhimit të Emergjencave ka angazhuar 345 efektivë nga gjashtë ekipe shpëtimi për të ndihmuar në operacion.

Provinca Shanxi, një nga rajonet më të varfra të Kinës, njihet si qendra kryesore e industrisë së qymyrit në vend.

Në fillim të viteve 2000, aksidentet fatale në minierat kineze ishin të zakonshme. Megjithëse standardet e sigurisë janë forcuar vitet e fundit, incidente të rënda vazhdojnë të ndodhin.

Në vitin 2023, shembja e një miniere të hapur në rajonin verior të Mongolisë së Brendshme shkaktoi vdekjen e 53 personave.

Ndërsa në vitin 2009, një shpërthim në një minierë në provincën Heilongjiang në verilindje të vendit shkaktoi mbi 100 viktima.

Kina mbetet vendi konsumator më i madh i qymyrit në botë dhe njëkohësisht emetuesi më i madh i gazeve serrë, pavarësisht investimeve rekord në energjinë e rinovueshme.