BOTA, 12 Gusht 2025, 19:05

“Kievi mund të tërhiqet nga Donetsku nën presionin e SHBA-së”/ Gazeta ukrainase “Strana”: Në rrezik ndihma ushtarake dhe financiare

“Kievi mund të tërhiqet nga Donetsku nën presionin e

Autoritetet ukrainase po shqyrtojnë mundësinë e tërheqjes së forcave nga zonat e Donetskut që ende mbahen nën kontrollin e tyre, në rast se rritet presioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton gazeta ukrainase Strana, duke cituar një ish-këshilltar politik të lidhur me presidencën e Volodymyr Zelensky.

Sipas burimeve të Strana, tërheqja po shihet si një opsion i dhimbshëm, por i mundshëm, nëse SHBA-ja kushtëzon mbështetjen e mëtejshme ushtarake dhe financiare me lëshime territoriale ndaj Rusisë. Lajmi vjen pas raportimeve të mëparshme nga media perëndimore, përfshirë The Wall Street Journal, që sugjerojnë se Washingtoni po kërkon kompromis territorial si pjesë e një marrëveshjeje paqeje.

Gazeta amerikane raportoi se propozimi amerikan parashikon si hap të parë tërheqjen e trupave ukrainase nga territori i kontrolluar prej tyre në rajonin e vetëshpallur të Republikës Popullore të Donetskut, sipas termave të përdorur nga pala ruse.

Trump: Po shqyrtojmë një “shkëmbim” për territoret e diskutueshme
Më 8 gusht, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se “çështja e territoreve për të cilat është luftuar prej 3.5 vitesh” është në shqyrtim, duke shtuar se ai “po pret një shkëmbim” në negociatat me Rusinë.

Një ditë më vonë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi duke theksuar se çështja e sovranitetit territorial të Ukrainës është e përcaktuar në Kushtetutë dhe se “askush nuk do të tërhiqet prej saj.”

Një vendim me pasoja të mëdha politike
Sipas burimit të Strana, strategjia aktuale e Zelenskyt është të bindë administratën amerikane që të heqë dorë nga kërkesa për tërheqje nga Donbasi (kërkesë që dyshohet të jetë vendosur nga Presidenti Putin), dhe të rikthehet në propozimin e mëparshëm për një armëpushim përgjatë vijës aktuale të frontit.

Nëse kjo përpjekje dështon, Kievi përballet me një dilemë të vështirë, të refuzojë propozimin dhe të rrezikojë humbjen e plotë të mbështetjes amerikane, ose të pranojë tërheqjen, gjë që sipas analistëve do të përbënte “vetëvrasje politike” për Zelenskyn, duke shkaktuar protesta dhe ndoshta edhe dorëheqjen e tij.

Vëzhguesit politikë paralajmërojnë se, edhe pse dorëzimi i territorit të Donetskut do të shihej si “kapitullim”, refuzimi i një plani të propozuar nga presidenti Trump mund të ketë pasoja edhe më të rënda, përfshirë ndërprerjen e menjëhershme të ndihmës perëndimore dhe përkeqësimin drastik të situatës në vijën e frontit.

Sipas gazetës Strana, vendimi përfundimtar do të merret nga presidenti Zelensky dhe ekipi i tij, pasi të peshojnë të gjitha rreziqet dhe mundësitë, si dhe nivelin e gatishmërisë së Presidentit amerikan për të qëndruar në qëndrimin e tij, në rast të një refuzimi nga ana e Kievit.