BOTA, 11 Shkurt 2026, 22:09

Kallas: Mbajtja e zgjedhjeve në Ukrainë gjatë luftës një ide jo e mirë

Kallas: Mbajtja e zgjedhjeve në Ukrainë gjatë luftës

Mbajtja e zgjedhjeve ndërsa lufta është ende duke vazhduar nuk është padyshim një zgjidhje e mirë”, tha sot përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, me të mbërritur në takimin e ministrave të Mbrojtjes në Bruksel, e pyetur në lidhje me raportet se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të shpallë zgjedhje në vend.

“Ndoshta kjo mund të bëhet duke shpresuar për paqe, por për momentin nuk i shoh rusët të bëjnë ndonjë përpjekje të vërtetë për paqen”, tha ajo.
“Shumica e vendeve evropiane kanë një dispozitë në kushtetutat e tyre që thotë se zgjedhjet nuk mbahen gjatë kohës së luftës. Kur ka sulme nga jashtë, zgjedhjet fjalë për fjalë nuk mund të mbahen”, theksoi ajo.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky po planifikon zgjedhje presidenciale në pranverë, së bashku me një referendum për marrëveshjen e paqes, raportoi sot “Financial Times”, duke cituar zyrtarë ukrainas dhe perëndimorë të njohur me çështjen.

Lëvizja thuhet se erdhi pas presionit nga administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të mbajtur zgjedhje deri më 15 maj, përndryshe Ukraina rrezikon humbjen e garancive të sigurisë nga SHBA-ja.

Sipas raportit, Zelensky do të shpallë zgjedhjet më 24 shkurt, në përvjetorin e katërt të sulmit rus.

Plani përputhet me një përpjekje të SHBA-së, për të nënshkruar të gjitha dokumentet për t’i dhënë fund deri në qershor konfliktit më të madh të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Ata thonë se duan të bëjnë gjithçka deri në qershor… në mënyrë që lufta të përfundojë”, tha presidenti i Ukrainës.