TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi sot se Shtetet e Bashkuara mbeten aleati më i madh i Evropës, pasi që administrata e presidentit amerikan, Donald Trump në një dokument strategjik të rëndësishëm përmendi se Evropa përballet me “shuarje civilizimi” dhe se një ditë mund të humbasë statusin e një aleati të besueshëm.
Strategjia e re amerikane e sigurisë kombëtare, e publikuar pardje në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë, kritikoi Bashkimin Evropian si antidemokratik, dhe Evropën si një kontinent që i mungon vetëbesimi.
Qëllimi i SHBA-së, sipas dokumentit, duhet të jetë të ndihmojë Evropën të korrigjojë rrugën e saj aktuale.
“Ka shumë kritika aty, por mendoj se disa prej tyre janë të vërteta; nëse shikoni Evropën, ajo vërtet ka nënvlerësuar fuqinë e saj ndaj Rusisë”, tha ajo në një panel në Forumin e Dohas në Katar.
“Duhet të kemi më shumë vetëbesim”, pohoi diplomatja evropiane.
“SHBA-ja mbetet ende aleati ynë më i madh. Mendoj se nuk kemi qenë gjithmonë në një mendje për disa tema, por besoj se parimi i përgjithshëm mbetet. Ne jemi aleatët më të mëdhenj dhe duhet të qëndrojmë së bashku”, përfundoi Kallas.
Dokumenti prej 33 faqesh, i cili përmban hyrjen e nënshkruar nga Trumpi, thuhet se Evropa është në rënie ekonomike, por se problemet e saj të vërteta janë edhe më të thella. Ndër to theksohen “aktivitetet e BE-së që minojnë lirinë politike dhe sovranitetin, politikat migratore që po transformojnë kontinentin, censurimi i lirisë së fjalës dhe shtypja e opozitës politike… si dhe humbja e identiteteve kombëtare”.
Në tekst shtohet se nëse trendet aktuale vazhdojnë, kontinenti do të jetë i panjohshëm për 20 vjet ose edhe më pak. Për këtë arsye, politika amerikane duhet të përfshijë nxitjen e rezistencës kundër trajektores aktuale evropiane brenda kombeve të Evropës.