TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shefja e Lartë e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, Kaja Kallas, ka përshëndetur diskutimet mbi propozimin prej 28 pikash për paqe të presidentit amerikan Donald Trump, por paralajmëron se presioni ndaj Rusisë nuk duhet të zbutet, nëse synohet një paqe e qëndrueshme.
“Nuk duhet të harrojmë kush nuk e do paqen dhe kjo është Rusia. Deri tani nuk kemi dëgjuar asnjë lëshim nga ana e saj”, deklaroi Kallas në një intervistë për CNN, Connect the World.
Ajo theksoi se fokusi i negociatave duhet të jetë tek garantimi që Rusia të mos sulmojë sërish dhe tek mënyrat për t’i dhënë fund luftës, jo te kërkesat që mund t’i bëhen Ukrainës.
“Në këtë luftë ka një viktimë dhe një agresor. Nuk mund të flasim për çfarë duhet të dorëzojë Ukraina, kur ajo nuk ka kryer asnjë agresion”, u shpreh Kallas.
Si nënkryetare e Komisionit Europian, Kallas ngriti shqetësime edhe për drejtimin që po marrin bisedimet e paqes, duke kërkuar më shumë vëmendje mbi rolin dhe angazhimet e Rusisë, e më pak mbi detyrimet që mund t’i vendosen Kievit.
“Cilat janë kërkesat ndaj Rusisë?”, pyeti ajo, duke theksuar se asnjë prej 28 pikave të planit të Trump nuk parashikon lëshime nga Moska. “Hapi i parë duhet të jetë kërkesa që Rusia të zbatojë marrëveshjet ndërkombëtare që ka shkelur deri tani”, shtoi Kallas.
Duke komentuar edhe propozimin që lidhet me përmasat e ushtrisë së ardhshme ukrainase, ajo u shpreh:
“Nëse vendosim kufizime mbi Ukrainën, vend që nuk ka pushtuar askënd, atëherë Rusia merr pikërisht atë që dëshiron.”.