TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ka edhe një Amerikë që del në rrugë për të protestuar kundër operacionit ushtarak të Donald Trump në Venezuelë dhe kapjes së presidentit Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij.
Më shumë se njëqind persona u mblodhën pasditen e sotme para Shtëpisë së Bardhë, duke mbajtur pankarta të verdha me mbishkrime si: “Jo luftës së SHBA-ve në Venezuelë”, “Jo gjak për naftë”, dhe “SHBA, duart larg Amerikës Latine”. Protestuesit kënduan dhe valëvitën flamuj venezuelas.
Disa nga folësit paralajmëruan kundër ndërhyrjeve ushtarake të SHBA-ve në përgjithësi, duke përmendur rastet e Irakut dhe Afganistanit si shembuj negativë.
Ndërkohë, presidenti Trump ndodhet në Mar-a-Lago. Protesta në Uashington, e organizuar nga Partia për Socializëm dhe Çlirim, është pjesë e një vale më të gjerë demonstratash që po zhvillohen në mbi 70 qytete të Shteteve të Bashkuara.
Në Nju Jork, një turmë u mblodh në Times Square, përpara zyrës së rekrutimit të ushtrisë amerikane, me pankarta kundër luftës në Venezuelë. Në Boston, protestuesit brohoritën “Mjaft gjak për naftë/ Duart larg tokës venezuelase” dhe mbajtën pankarta me mesazhe si “Problemi nuk është Venezuela. Është Perandoria” dhe “Jo luftës në Venezuelë”.
Në Minneapolis, një turmë sfidoi të ftohtin për të protestuar, duke valëvitur flamurin venezuelas dhe duke shfaqur pankarta me mbishkrimin “Liri për presidentin Maduro”. Protesta më të vogla u zhvilluan edhe në Atlanta, ndërsa të tjera janë parashikuar për mbrëmjen e sotme në Çikago dhe Los Anxhelos.