BOTA, 26 Dhjetor 2025, 20:57

Izraeli bëhet vendi i parë që njeh zyrtarisht Somalilandin si shtet të pavarur

Izraeli bëhet vendi i parë që njeh zyrtarisht Somalilandin si

Izraeli është bërë vendi i parë që njeh zyrtarisht republikën e vetëshpallur të Somalilandit si një shtet të pavarur dhe sovran, sipas “Reuters”.

Ky veprim mund të ndryshojë dinamikën rajonale dhe të vërë në provë Somalinë, e cila prej kohësh ka kundërshtuar shkëputjen.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të kërkonte bashkëpunim të menjëhershëm me Somalilandin në bujqësi, shëndetësi, teknologji dhe ekonomi.

Në një deklaratë, ai përgëzoi presidentin e Somalilandit, Abdirahman Mohamed Abdullahi dhe vlerësoi udhëheqjen e tij dhe e ftoi atë të vizitonte Izraelin.

Marrëveshjet e vitit 2020 u ndërmjetësuan nga administrata e parë Trump dhe përfshinin formalizimin e marrëdhënieve diplomatike të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin, me vende të tjera që u bashkuan më vonë.

Kryeministri izraelit Netanyahu, ministri i Jashtëm Gideon Saar dhe presidenti i Somalilandit nënshkruan sot një deklaratë të përbashkët të njohjes së ndërsjellë.

Abdullahi tha në një deklaratë se Somalilandi do t’i bashkohej Marrëveshjeve të Abrahamit, duke e quajtur atë një hap drejt paqes rajonale dhe globale.

Ai tha se Somalilandi ishte i përkushtuar për ndërtimin e partneriteteve, rritjen e prosperitetit të ndërsjellë dhe promovimin e stabilitetit në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën.

Ndërkohë, Egjipti tha se ministri i Jashtëm, Badr Abdelatty kishte zhvilluar sot biseda telefonike me homologët e tij nga Somalia, Turqia dhe Xhibuti për të diskutuar zhvillimet e rrezikshme në Bririn e Afrikës pas njoftimit të Izraelit.

“Ministrat dënojnë njohjen e Somalilandit nga Izraeli, rikonfirmojnë mbështetjen e tyre të plotë për unitetin dhe integritetin territorial të Somalisë dhe paralajmërojnë se njohja e rajoneve separatiste përbën një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, tha Ministria e Jashtme e Egjiptit.

Somalilandi ka gëzuar autonomi, si dhe paqe dhe stabilitet relativ, që nga viti 1991, kur Somalia u zhyt në luftë civile, por rajoni i shkëputur nuk ka arritur të sigurojë asnjë njohje.

Gjatë viteve, Somalia ka punuar me aktorë ndërkombëtarë kundër njohjes së Somalilandit.

Ish-protektorati britanik shpreson që njohja e pavaresisë së Somalilandit nga Izraeli do të nxisë shtetet e tjera të ndjekin shembullin, duke rritur ndikimin e tij diplomatik dhe aksesin në tregjet ndërkombëtare.