TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Roman Novak, një sipërmarrës nga Shën Petersburgu dhe themelues i platformës së kriptomonedhave Fintopio, është gjetur i vrarë bashkë me bashkëshorten e tij, Annën, në Emiratet e Bashkuara Arabe. Çifti ishte raportuar i zhdukur prej një muaji, pasi kishte humbur çdo kontakt me familjarët. Sipas mediave ruse, ata u joshën në një vilë me qira në rajonin Hatta, pranë kufirit me Omanin, nën pretekstin e një takimi me investitorë të huaj, por përfunduan të masakruar.

Hetimet paraprake të Deutsche Welle dhe portalit rus Fontanka tregojnë se motivi kryesor i krimit ishte zhvatja. Autorët dyshohet se kërkuan qasje në portofolin e kriptomonedhave të Novak, në të cilin mendonin se ruheshin miliarda dollarë. Kur kuptuan se fondi ishte bosh, e vranë çiftin, copëtuan trupat dhe i hodhën në disa kazanë mbeturinash pranë një qendre tregtare në rajonin Khata. Deri më tani janë arrestuar tetë persona, tre prej të cilëve janë shtetas rusë nga Shën Petersburgu.
Roman Novak ishte bërë i njohur në botën e kriptomonedhave përmes platformës Fintopio, që pretendonte ofrimin e transfertave të shpejta dhe kishte tërhequr mbi 500 milionë dollarë investime. Në vitin 2020, ai ishte dënuar në Rusi me gjashtë vjet burg për mashtrim dhe u lirua në vitin 2023, pas së cilës u zhvendos jashtë vendit. Çifti i vrarë lë pas dy fëmijë të mitur, të cilët aktualisht janë nën kujdesin e të afërmve.
