BOTA, 2 Maj 2026, 22:48

Irani ekzekuton dy të burgosur të akuzuar për bashkëpunim me shërbimet izraelite

Irani ekzekuton dy të burgosur të akuzuar për bashkëpunim me

Irani ka ekzekutuar dy persona të tjerë me akuzën e “spiunazhit për Izraelin”, ndërsa një valë e re ekzekutimesh vazhdon në vend.

Ky zhvillim vjen pasi kreu i gjyqësorit të Iranit hodhi poshtë presionin ndërkombëtar për të ndaluar ekzekutimet, duke thënë se autoritetet nuk do të tregojnë “asnjë butësi” në ekzekutimin e dënimeve.

Sipas mediave iraniane, Yaqub Karimpour dhe Nasser Bakarzadeh u ekzekutuan pasi u dënuan për bashkëpunim me Izraelin.

Gjyqësori iranian pretendoi se Karimpour kishte “bashkëpunuar në mënyrë efektive” me Mossadin gjatë luftës 12-ditore të qershorit 2025, duke transmetuar informacione të ndjeshme kombëtare në shërbimin e inteligjencës së Izraelit.

Dënimet e tyre me vdekje ishin mbështetur nga Gjykata Supreme e Iranit.

Agjencia e Lajmeve e Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) kishte paralajmëruar më parë për ekzekutimin e afërt të dyshes.

Në javët e fundit, paralelisht me sulmet ushtarake amerikane dhe izraelite, autoritetet iraniane kanë ekzekutuar një numër të konsiderueshëm të të burgosurve të akuzuar për 'spiunazh'.

Organizata e të drejtave të njeriut Hengaw ka raportuar se të paktën 26 të burgosur u ekzekutuan në burgjet iraniane vetëm në prill 2026.

Sipas organizatës, të paktën 14 të burgosur politikë dhe një grua ishin midis atyre që u ekzekutuan.

Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, së bashku me zyrën e OKB-së për të drejtat e njeriut, kanë shprehur vazhdimisht shqetësim për valën e ekzekutimeve në Iran dhe përdorimin e tyre nga autoritetet për të përhapur frikë brenda shoqërisë.