BOTA, 8 Nëntor 2025, 20:26

Incidenti ajror në Groenlandë, gjendet trupi i pilotit italian

Incidenti ajror në Groenlandë, gjendet trupi i pilotit italian

Është gjetur në Groenlandë trupi i një shtetasi italian që humbi jetën në një aksident ajror të ndodhur më 25 tetor, pranë Nuuk-ut, kryeqytetit të vendit. Rrënojat e avionit turistik me të cilin udhëtonte, avion që ishte në pronësi të tij dhe kishte nisur fluturimin nga Kanadaja u lokalizuan vetëm në orët e fundit, së bashku me trupin e pilotit. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Jashtme italiane, e cila sqaroi se autoritetet lokale kanë identifikuar si rrënojat, ashtu edhe trupin e shtetasit italian.

Ambasada e Italisë në Kopenhagën, e njoftuar për ngjarjen, ka ndjekur çështjen në koordinim me Konsullin e Nderit dhe është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e viktimës.

Sipas CBC (Canadian Broadcasting Corporation), avioni ishte zhdukur gjatë një fluturimi midis Happy Valley–Goose Bay, në provincën kanadeze të Newfoundland dhe Labrador, dhe Groenlandës. Naviair, kompania shtetërore daneze që ofron shërbime të trafikut ajror, bëri të ditur se avioni u gjet pa të mbijetuar.

Autoritetet kërkuan avionin gjatë të gjithë fundjavës pas zhdukjes, duke u fokusuar në zonën malore të Sermitsiaq, rreth 15 kilometra në verilindje të Nuuk-ut. Megjithatë, kërkimet ajrore u ndërprenë të shtunën për shkak të dukshmërisë së dobët dhe kushteve të këqija meteorologjike, dhe rifilluan të dielën me kërkime detare.