BOTA, 10 Prill 2026, 22:13

I dërguari i Kremlinit në Uashington, SHBA drejt rikthimit të sanksioneve për naftën ruse

I dërguari i Kremlinit në Uashington, SHBA drejt rikthimit të

I dërguari i Kremlinit, Kirill Dmitriev, ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara për bisedime, pak para skadimit të një lehtësimi të përkohshëm të sanksioneve amerikane ndaj naftës ruse.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi, sipas agjencisë shtetërore TASS, se Dmitriev drejton një grup për çështjet ekonomike dhe po vijon punën brenda këtij kuadri.

Peskov sqaroi se vizita e tij nuk lidhet me negociata për përfundimin e luftës në Ukrainë dhe nuk nënkupton rifillimin e bisedimeve politike mes palëve.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës, i cili tashmë ka hyrë në vitin e pestë. Megjithatë, pas rritjes së çmimeve të naftës si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme, Uashingtoni ka lejuar përkohësisht shitjen e naftës ruse që ndodhej tashmë në anije, një përjashtim që pritet të skadojë të shtunën.

Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës në Ukrainë vijojnë, me disa raunde bisedimesh të zhvilluara më herët në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Zvicër me ndërmjetësim amerikan.

Në të njëjtën kohë, Presidenti rus Vladimir Putin ka shpallur një armëpushim të përkohshëm me rastin e Pashkëve Ortodokse, që zgjat nga e shtuna pasdite deri të dielën në mbrëmje.