BOTA, 28 Prill 2026, 20:55

Google nënshkruan marrëveshje me Pentagonin për përdorimin e inteligjencës artificiale në projekte sekrete dhe operacione të klasifikuara

Google nënshkruan marrëveshje me Pentagonin për përdorimin e

Google ka nënshkruar një marrëveshje me Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-së për përdorimin e modeleve të saj të inteligjencës artificiale në operacione dhe detyra të klasifikuara.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, marrëveshja i jep Pentagonit të drejtën të përdorë teknologjinë e kompanisë për “çdo qëllim qeveritar të ligjshëm”, përfshirë procese me ndjeshmëri të lartë si planifikimi i misioneve dhe identifikimi i objektivave.

Në dokument përcaktohet se sistemet e inteligjencës artificiale nuk mund të përdoren për mbikëqyrje masive brenda vendit apo për zhvillimin e armëve autonome pa mbikëqyrje njerëzore.

Kjo marrëveshje është pjesë e një bashkëpunimi më të gjerë të Pentagonit me kompani të mëdha të teknologjisë në Silicon Valley, përfshirë OpenAI dhe xAI, me kontrata që arrijnë deri në 200 milionë dollarë për secilën prej tyre.

Sipas raportimeve, qeveria amerikane ka rritur presionin ndaj kompanive të inteligjencës artificiale për të vënë teknologjitë e tyre në dispozicion të rrjeteve të klasifikuara, duke lehtësuar një pjesë të kufizimeve standarde të përdorimit.

Marrëveshja parashikon gjithashtu që Google të ndihmojë në përshtatjen e filtrave të sigurisë dhe parametrave të sistemeve të saj, në përputhje me kërkesat e qeverisë amerikane. Megjithatë, kompania nuk ka të drejtë të vendosë veto mbi vendimet operacionale të ushtrisë.

Ndërkohë, përfshirja e gjigantëve të teknologjisë në projekte ushtarake ka nxitur debate dhe shqetësime edhe brenda vetë kompanive, ku një pjesë e punonjësve kanë shprehur frikën se këto teknologji mund të përdoren në mënyra “çnjerëzore ose shumë të dëmshme”.