TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një gjykatë amerikane urdhëroi sot lirimin e Kilmár Abregos, deportimi i paligjshëm i të cilit u shndërrua në simbol të politikave agresive të shtypjes së emigracionit në SHBA gjatë administratës së Donald Trump, ndonëse ai mund të deportohet për herë të dytë.
Vendimi i gjyqtares Paula Xinis nënkupton se Abrego do të kthehet, të paktën përkohësisht, në shtëpinë e tij në Maryland, pavarësisht deklaratave të përsëritura të zyrtarëve të administratës Trump se ai nuk do të lihej më kurrë i lirë në SHBA.
Ky vendim është zhvillimi më i rëndësishëm në çështjen që nisi në mars, kur Abrego u deportua në mënyrë të paligjshme në El Salvador, ku u dërgua në një burg me siguri të lartë.
Më pas ai u kthye në SHBA dhe u vu nën akuzë për trafikim të emigrantëve të parregullt. Zyrtarë të administratës e paraqisnin atë si kërcënim ndaj sigurisë publike, ndërsa kritikët akuzonin qeverinë se po shkelte të drejtat ligjore në përpjekje për të deportuar miliona njerëz.
Abrego, 30 vjeç, po mbahet që nga gushti në një qendër paraburgimi për emigrantë, pasi u arrestua menjëherë sapo u lirua nga burgu ku po qëndronte për çështjen e tij penale.
Gjyqtarja Xinis vendosi se ai kishte të drejtë të lirohej nga paraburgimi, pjesërisht sepse një gjyqtar i çështjeve të emigracionit nuk kishte lëshuar një urdhër zyrtar deportimi në vitin 2019, kur ndalimi i deportimit të tij drejt El Salvadorit u konsiderua i vlefshëm për shkak se ai rrezikonte nga bandat kriminale në vendlindjen e tij.