BOTA, 2 Mars 2026, 16:19

Gjenerali iranian: Do të lëshojmë raketa kundër Qipros për t’i detyruar amerikanët të largohen

Gjenerali iranian: Do të lëshojmë raketa kundër Qipros

Një zyrtar i lartë i Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) ka kërcënuar me intensifikimin e sulmeve me raketa ndaj Qipros, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara kanë rritur ndjeshëm praninë e tyre ushtarake në ishull.

Sipas mediave qipriote, të cilat i referohen raportimeve nga mediat iraniane, gjenerali Sardar Xhabari deklaroi për agjencinë iraniane Khabar Furi se Uashingtoni ka zhvendosur pjesën më të madhe të avionëve të tij në Qipro, duke paralajmëruar për një reagim të ashpër nga ana e Teheranit.

“Amerikanët kanë transferuar shumicën e avionëve të tyre në Qipro. Ne do të lëshojmë raketa drejt Qipros me një intensitet të tillë sa që amerikanët do të detyrohen të largohen nga ishulli”, citohet të ketë thënë ai.

Agjencia qipriote e lajmeve Philenews thekson se ka verifikuar saktësinë e deklaratave të Xhabarit, sipas përmbajtjes së videos përkatëse ku dëgjohet deklarata e tij.

Ndërkohë, një burim qipriot i tha agjencisë ndërkombëtare Reuters se të gjitha indiciet tregojnë se dronët që goditën bazat britanike në Qipro janë lëshuar nga Hezbollah në Liban.

Situata pritet të rrisë më tej tensionet në rajon, në një moment kur zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme mbeten tejet të ndjeshme.