BOTA, 20 Dhjetor 2025, 22:10

Flakadanë, zjarr dhe përleshje me policinë në zemër të Torinos! Protestat e italianëve degjenerojnë në dhunë e plagosje

Flakadanë, zjarr dhe përleshje me policinë në zemër

Pasdite vonë, rrugët e Torinos u përfshinë nga tensione dhe përleshje mes protestuesve dhe forcave të rendit, gjatë një proteste të organizuar kundër evakuimit të qendrës sociale Askatasuna. Ky veprim ishte ndërmarrë tre ditë më parë me vendim të Ministrisë së Brendshme të Italisë.

Gjatë protestës, disa prej pjesëmarrësve u përfshinë në akte dhune, duke hedhur flakadanë dhe shishe, si dhe duke i vënë flakën koshave të mbeturinave, të cilët më pas u zhvendosën në mes të rrugës për të bllokuar qarkullimin.

Forcat e policisë reaguan duke përdorur gaz lotsjellës, shkopinj dhe pompa uji për të shpërndarë turmën. Sipas raportimeve të mediave italiane, disa protestues kanë mbetur të plagosur, ndërsa policia konfirmoi se shtatë efektivë u lënduan gjatë përplasjes.

Situata u normalizua vetëm pas ndërhyrjes së shtuar të forcave të sigurisë, ndërsa autoritetet po vlerësojnë dëmet dhe përgjegjësitë për incidentin.