BOTA, 14 Prill 2026, 23:00

Faza e dytë e armëpushimit në Gaza mbetet në pikëpyetje, pasi Hamasi refuzon çarmatimin

Faza e dytë e armëpushimit në Gaza mbetet në

Një zyrtar palestinez ka deklaruar se Hamasi ka hedhur poshtë planin e çarmatimit, i cili përbën një nga kushtet kryesore të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump për arritjen e paqes në Gaza.

Sipas tij, Hamasi ka akuzuar gjithashtu përfaqësuesin e lartë për Gazën në Bordin e Paqes të udhëhequr nga SHBA, Nickolay Mladenov, për paragjykim në favor të Izraelit. Zyrtari tha se Hamasi u ka bërë të ditur ndërmjetësve rajonalë se nuk do të marrë pjesë në bisedimet për fazën e dytë të marrëveshjes, derisa Izraeli të zbatojë plotësisht kushtet e fazës së parë.

Nga ana e tij, Izraeli ka deklaruar se nuk do të ecë përpara me procesin pa progres në çarmatimin e Hamasit. Faza e parë e planit të paqes të Trump parashikonte ndalimin e luftës, shkëmbimin e pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë dhe tërheqjen e pjesshme të forcave izraelite nga Gaza.

Në mes të janarit, i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, njoftoi nisjen e fazës së dytë të planit të paqes, por që prej asaj kohe procesi ka mbetur i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve.

Faza e dytë e planit synon një fund të përhershëm të luftës përmes çmilitarizimit të Gazës dhe tërheqjes së plotë të Izraelit nga territori.